Ana e errët

Trendi i shkopit të bejzbollit/ Të rinjtë e mbajnë në bagazh, sherr edhe për një gol në kalçeto. Me shkopa edhe femrat

“Pa folur asnjë fjalë, ata zbritën nga makina e tyre luksoze, u drejtuan direkt tek mua dhe më goditën me grushta dhe shkopinj bejzbolli. Dhe menjëherë u larguan më pas”. Kështu e nis denoncimin e tij në polici 24-vjecari A.L., një i ri që zgjodhi të ndjekë një model të mirë. Punon në një biznes privat dhe kur konstaton se diçka nuk shkon, ai nuk hesht. Por kjo ndërhyrje i ka kushtuar atij një sulm të paprecedentë që, sipas burimeve policore të Gazetës “Si” ndodhi në 14 korrik në afërsi të një supermarketi.
Shpesh Gazeta “Si” ka ngritur shqetësimin e sulmeve të organizuara që kryesisht adoleshentët por edhe të rriturit kryejnë me armë të ftohta, zakonisht shkopa bejzbolli dhe doreza metalike. “Kryesisht shkopinjtë është e pabesueshme por i kemi gjetur edhe në mjete të të rinjve që teksa luajnë kalçeto me njëri-tjetrin, në një rast nuk kanë ngurruar që për një gol t’u drejtohen mjeteve të tyre, ku secili mbante në bagazh shkopinj të tillë, ndonëse bezsbolli nuk është një loje e frekuentuar në Shqipëri”, tha një zyrtar i policisë për Gazetën “Si”. Megjithë fenomenin që ka përfshirë edhe femra, të cilat paradoksalisht janë konstatuar në dy raste me shkopa bejzbolli, trendi nuk ka të ndalur dhe po përhapet në të gjithë vendin.

I riu më i fundit që guxoi dhe tregoi në policinë vendore të kryeqytetit, dyshohet se u sulmua mbasi i kërkoi llogari një klienti që ngacmonte kolegen e tij.
“Punoj kasier pranë supermarketit të fruta-perimeve. Kur më sulmuan personat që e parkuan makinën përballë punës, u përpoqa të vetëmbrohesha. Gjatë sulmit nuk u fut askush të na ndante dhe as të parandalonte çfarë ndodhi”, vijon më tej sipas policisë i riu që tregoi se të vetmet që ndaluan dhe po shikonin sulmin me shkopa bejzbolli ishin disa gra. “Ato gjendeshin në anën tjetër të trotuarit, por nuk u përfshinë. Askush nuk ndëhyri. Për më tepër nuk i njoh ata që më sulmuan”, deklaron në denoncimin e tij djali nga Tirana
Përse u sulmua?
“Kisha vënë re disa herë që i hidhte fjalë dhe kolegja vihej në siklet, stresohej, ndaj i tërhoqa vëmendjen atij djalit “mos e ngacmo më, nuk e shikon që është në orar të punës”. Ky person më tha “OK, në rregull, më fal”, madje më dha dhe dorën e qeshi. Por pas disa minutave ky person erdhi së bashku me disa të tjerë dhe më goditën me shkopinj dhe grushta”, rrëfen i riu.
Por burimet e policisë mbasi kanë kontrolluar subjektin ku ndodhi sulmi fizik dhe nuk konstatuan kamera sigurie kërkuan ndihmën e studentit që punon kasier.
Polcia i thotë jo zyrtarisht Gazetës “Si” se ka marrë në pyetje edhe vajzën e re që u mbrojt prej kolegut. “Kam një muaj që punoj si kasiere dhe ky person nga fundi i muajit qershor ka ardhur tek vendi im i punës. Në fillim thoshte fjalë joshëse, më thoshte do të marr për nuse, më pas më thoshte do të marr me pahir. Por unë nuk përgjigjesha. Dy ditët e fundit po ankohej për produktet dhe artikujt”, ka thënë vajza.
Në një nga rastet, e reja tregon se si klienti u nervozua me të mbasi ajo po i shmangej dhe për këtë arsye kishte kërkuar ndihmën e kolegut që e zëvendësonte në kasë. “Klienti bërtiti përse nuk më shet më gjëra ti?”, tregon vajza. Pikërisht në çastet kur klienti kërkonte vetëm atë për shërbim, ka ndërhyrë studenti që e ka paralajmëruar: Mos e ngacmo vajzën se është në punë.
Polcia shton për Gazetën “Si” se pas marrjes në pyetje të disa kureshtarëve që panë se si u sulmua punonjësi i supermarketit, arriti të identifikojë targën e automjetit dhe prej aty arriti deri te identifikimi i shoferit. I pari që u shoqërua bëhet me dije se është një i ri që është kthyer për pushime në Shqipëqri, por që jeton në Gjermani. Ai tha se shkoi në supermarket me një të njohurin e tij dhe as vetë nuk e di se si u përfshi në konflikt. Sipas tij i njohuri i kishte treguar se gjatë shërbimit në supermarket kishte ngacmuar një vajzë, por ajo i ishte përgjigjur: “ ik mos më caj b…”. “Në këtë moment shoku nuk i ka folur më. Herën e dytë kishte ndërhyrë menaxheri - shprehet i riu, - por shitësja ishte tepër agresive dhe e kishtë pështyrë”. Të njëjtin version japin edhe dy të tjerët që e quajnë rastësi përfshirjen në sherr.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë