TikTok mund të jetë i shkëlqyeshëm për shumë gjëra por kur bëhet fjalë për tendencat e mirëqenies, ka shumë trende që është mirë të mos ndiqen.
Çdo vit ka disa trende që lidhen me shëndetin dhe shumë shpejt bëhen virale kudo. Vitin e kaluar kishte trende si vendosja e një hudhre në hundë për të pastruar sinuset apo konsumimi i pluhurit të proteinës për të pasur më shumë efekt, trende që rezultuan shumë të rrezikshme.
Pse trende të tilla mund të bëhen të njohura dhe pa pasur prova, ka një arsye.
"Është natyra njerëzore të ndikohet nga të tjerët”, thotë Niket Sonpal, profesor në Kolegjin Touro në New York.
Sonpal thotë se sidomos kohët e fundit, njerëzit kanë filluar të kërkojnë shpëtim tek rrjetet sociale, edhe në pamundësi për të shkuar tek një mjek apo edhe për faktin se tashmë ka një ide se në rrjetet sociale mund të gjendet çdo informacion.
Nga trendet që populluan TikTok këtë vit, ja çfarë duhet të lëmë në 2022 ose mund të marrim me vete në vitin e ri, sipas ekspertëve.
“Shëtitja ‘hot’ e vajzave”
Mia Lind, një përdoruese 23-vjeçare e TikTok, ishte në karantinë në janar të vitit 2021 kur vendosi vetë një rutinë ushtrimesh, duke transformuar me kalimin e kohës trupin dhe mendjen e saj me atë që ajo e quajti "shëtitjen ‘hot’ të vajzave".
"Natyrisht që ka shumë përfitime shëndetësore kur bëni këto shëtitje për një kohë të gjatë dhe ecni paksa shpejt", tha Lind në një TikTok që ajo postoi atë muaj.
"Por është ajo që bën në shëtitjen ‘hot’ të vajzave ajo që ka rëndësi".
“Ju lejohet të mendoni vetëm për tre gjëra në shëtitjen ‘hot’ të vajzave: Një, gjërat për të cilat jeni mirënjohës. Dy, qëllimet tuaja dhe mënyra se si do t'i arrini ato, dhe tre, sa e mirë jeni".
Ky trend u rrit në popullaritet në vitin 2021 dhe vazhdoi edhe këtë vit. Që nga 21 dhjetori i këtij viti, video e saj është parë më shumë se 3 milionë herë dhe është pëlqyer nga afro 800,000 njerëz.
“Në përgjithësi, çdo gjë që inkurajon stërvitjen dhe mirëqenien mendore është diçka pozitive për shëndetin e njerëzve”, tha Sonpal.
Lind ka sugjeruar që të ecni disa km çdo ditë, por nëse nuk mundeni, filloni me distanca më të vogla”, tha Joey Thurman, trajner personal.
“Largimi i heshtur”
Frustrimi dhe ezaurimi për shkak të orëve të gjata dhe kompanive me staf të pamjaftueshëm bëri që disa njerëz të ndalonin së kryeri punë përtej asaj që ishin punësuar për të bërë, një trend i njohur si "largimi i heshtur".
Ekspertët kanë sugjeruar se kjo nuk është zgjidhja ideale dhe më mirë do të ishte një rrugë e mesme apo vendosja e kufijve.
Pirja e ujit me fara Chia
Disa përdorues të TikTok kanë sugjeruar një trend të quajtur ‘dushi i brendshëm”. Ky trend konsiston në shtimin e dy lugëve fare Chia në një gotë uji me lëng limoni. Përdoruesit duhet ta linin pijen të qëndrojë për 10 minuta dhe më pas ta pinin.
Shumë njerëz thanë se e bënë këtë trend për një muaj, çdo ditë dhe reagimet ishin të ndryshme.
Shumë prej përdoruesve thanë se pas konsumimit të pijes, kishin fryrje barku dhe vuajtën nga kapsllëku.
“Rreth 2 lugë fara chia ofrojnë rreth 10 gram fibra, kështu që ato mund të ndihmojnë në "lehtësimin e simptomave të kapsllëkut", tha Beth Czerwony, dietologe.
Por konsumimi i tepërt i fibrave, veçanërisht pa ujë të mjaftueshëm, mund të çojë në fryrje, gazra, dhimbje barku ose diarre.
“Nuk keni nevojë për diçka që quhet ‘dush i brendshëm’”, tha Sonpal. Ju duhet vetëm një dietë me fibra të larta dhe shumë ujë çdo ditë.
Ujë me klorofil
Uji i klorofilit është një trend në mediat sociale që inkurajon njerëzit të shtojnë pika klorofili në ujë".
Ndjekësit e kësaj praktike, e cila ka qenë në trend për një vit e gjysmë, pretendojnë "përfitime të ndryshme shëndetësore duke përfshirë parandalimin e kancerit, shërimin e plagëve, humbjen e peshës, kontrollin e kapsllëkut dhe rritjen e energjisë", shtoi Czerwony.
Hulumtimet nuk kanë vërtetuar se uji me klorofil është toksik ose i rrezikshëm, por nuk ka treguar asnjë përfitim shëndetësor.
Mbyllja e gojës me shirit për gërhitjen
Njerëzit kanë kërkuar prej vitesh mënyra për të shpëtuar nga gërhitja gjatë natës dhe këtë vit duket se gjetën një alternativë.
Në TikTok doli një trend i mbylljes së gojës me shirit.
Por disa ekspertë kanë thënë se megjithëse shiriti mund të mbajë gojën të mbyllur, ngjitja me shirit mund të ketë anët negative.
"Nëse keni apnea obstruktive të gjumit, po, kjo mund të jetë shumë e rrezikshme", tha specialisti i gjumit Raj Dasgupta.
Apnea obstruktive e gjumit, kolapsi i plotë ose i pjesshëm i rrugëve të frymëmarrjes, është një nga çrregullimet më të zakonshme dhe më të rrezikshme të gjumit.
Përdorimi i shiritit mund të çojë gjithashtu në dëmtim të indeve të buta rreth gojës.
Pula e gatuar me kimikate
Një sfidë e TikTok që tërhoqi vëmendjen këtë vit është edhe pula e gatuar me kimikate.
Ky trend u bë aq viral sa edhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave lëshoi një paralajmërim në shtator.
“Këto sfida video, të cilat shpesh synojnë të rinjtë, mund të dëmtojnë njerëzit, madje të shkaktojnë vdekje”, tha FDA në një deklaratë në faqen e saj të internetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.