Nga të gjitha ankthet e adoleshencës që mund të zënë rrënjë, rritja e mjekrës, ose mungesa e saj shpesh herë i përndjek meshkujt gjatë gjithë jetës.
Për miliona njerëz, izolimet për shkak të pandemisë në 2020 dhe 2021 krijuan kombinimin bindës të kohës së lirë dhe të ardhurave, së bashku me pasqyrën e ashpër të videotelefonatave të pafundme. Kërkesa u rrit për një galeri të tërë ndryshimesh estetike dhe ndërhyrjesh kirurgjikale.
Nadeem Khan, klinika e të cilit prej 15 vitesh bën transplant flokësh në Londër thotë se procedurat e mjekrës ndjekin të njëjtin parim: kirurgët përdorin një gjilpërë për të tërhequr qimet, ose “njësi folikulare”, zakonisht nga zona më të trasha të flokëve në pjesën e pasme të kokës. Këto njësi më pas mund të futen në zona më pak leshatore të kokës ose fytyrës nëpërmjet prerjeve të vogla në lëkurë.
Khan thotë se nxjerrja e njësisë folikulare fillimisht u përdor vetëm për pacientët që kishin kaluar një traumë, si për shembull ushtarët. Klinika e tij do të kishte jo shumë pacientë të tillë në vit por ndërsa ndërgjegjësimi për mbjelljen e flokëve u rrit, pjesërisht falë të famshmëve si Wayne Rooney, i cili mbolli flokët në 2011, interesi për transplantin e mjekrës filloi të rritet, përpara se të lulëzonte në pandemi.
Nuk ka statistika të industrisë, por Khan thotë se kërkesat për mjekët nga pacientët janë trefishuar që nga viti 2020. Kirurgët e tij tani bëjnë deri në 100 transplante në vit, 90% e të cilave janë estetike (pjesa tjetër janë rregullime për plagët ose djegiet).
Kostot në klinikën e tij variojnë nga 3,000 deri në 7,000 paund, në varësi të numrit të transplanteve. “Mendoj se ekziston kjo formë e re e maskulinitetit ku mjekra është bërë e rëndësishme dhe tani çdo mashkull dëshiron të jetë si Gerard Butler në 300”, thotë ai, duke cituar filmin e vitit 2006.

Kërkesa në rritje për transplantin ka krijuar një fushë të minuar për pacientët e mundshëm dhe shpesh vulnerabël.
Uebsajtet ‘e shkëlqyeshme’ dhe llogaritë e mediave sociale mund të errësojnë praktikat e dyshimta dhe ndonjëherë vëzhgimin e pakët të rregulloreve që rregullojnë këtë lloj pune. Ndërkohë, klinikat në pikat e nxehta të turizmit të transplantimit si Turqia janë rritur si kërpudha, duke ofruar paketa që mund të jenë të përballueshme për shumë njerëz.
Çdo klinikë për transplantin e flokëve në Angli duhet të regjistrohet në Komisionin e Cilësisë së Kujdesit. Regjistrimi përfshin inspektime, por nuk ka asnjë trajnim të njohur zyrtarisht, as ndonjë ligj që ndalon, për shembull, një klinikë që zvogëlon kostot duke lejuar më pak mjekë të kualifikuar për transplantim.
“Është një industri e egër ende”, thotë Spencer Stevenson, mjek. Stevenson thotë se transplantet e mjekrës janë teknikisht sfiduese. Flokët e kokës mund të jenë më të hollë dhe më të butë se qimet e fytyrës, duke kërkuar përzierjen e kujdesshme të qimeve në zona të holla ose me njolla për të arritur një pamje uniforme.
“Mund të bëni një transplant të keq flokësh dhe ndonjëherë mund t’i shpëtoni, por me mjekrën është një problem i madh sepse është në fytyrën tuaj,” thotë ai. “Ju nuk mund të vendosni një kapele mbi të.”
Dëshmitë e pasigurisë mashkullore rreth qimeve të fytyrës janë të bollshme në internet, ku çdo pacient i mundshëm transplantimi fillon udhëtimin e tij. Bordi publik i mesazheve “beards” i Reddit ka 1.2 milionë anëtarë anonimë.
Në mars të vitit të kaluar, Mathieu Vigier Latour, student 24-vjeçar nga Franca, udhëtoi në Stamboll për një transplant të mjekrës. Për pak më shumë se 1000 £, ai mori 4000 njësi nga pjesa e pasme e kokës.
“Kur filloi të rritej, dukej si një iriq; ishte e pakontrollueshme”, tha babai i tij, Jacques Vigier Latour.
Stevenson thotë se përsosja e këndit të rritjes së qimeve të transplantuara për të arritur një model me pamje natyrale në një mjekër të re kërkon aftësi. Rritja e Latour ishte e ‘skicuar’ keq dhe e rastësishme. Kirurgu i tij doli të ishte një agjent pronash dhe Latour kishte dhimbje, vuajti nga djegiet dhe nuk mund të flinte.
Ndërsa një specialist belg i transplantit ishte në procesin e përpjekjes për të rregulluar mjekrën e Latour-it, ai zhvilloi një lloj shoku post-traumatik dhe çrregullime dismorfike trupore, sipas babait të tij.
Tre muaj pas transplantit të dështuar, ai vrau veten.
“Ai kishte hyrë në një rreth vicioz nga i cili nuk mund të shpëtonte më”, tha babai i tij.
Greg Williams, një ish-kirurg djegieje, i cili kaloi në transplantin e flokëve në vitin 2012, thotë se operacioni shpesh nuk është një opsion i mirë për burrat me mungesë të konsiderueshme mbulimi. “Ekziston një rrezik shumë i lartë që një transplantim të mos duket i natyrshëm nëse po flisni për të bërë fytyrën plotësisht,” thotë Williams.
“Është e qartë se ka një treg të zi dhe se ka njerëz të patrajnuar që përdorin pacientët vetëm për të fituar para,” thotë Ozlem Biçer, kirurge që ka operuar në Stamboll që nga viti 1998.
Ajo dhe ekipi i saj trajtojnë vetëm një pacient në ditë dhe çmimet e saj janë të pranueshme “por tregu i zi është një problem në të gjithë botën, jo vetëm në Turqi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.