Portofol

Kompanitë e sigurimeve më shumë se 1 miliard e gjysmë lekë detyrime qytetarëve

Tregu i sigurimeve në Shqipëri vazhdon të jetë i brishtë edhe pse eksperienca gati 20 vjeçare ka sjellë shumë ndryshime në të.

Nga njëra anë kompanitë e sigurimit ngrenë zërin për një strategji konkrete, një plan zhvillimi apo një përgjegjësi për të ndryshuar këtë industri, nga ana tjetër janë këto kompani sigurimi që u detyrohen më shumë se 1 mld e gjysmë lekë qytetarëve të siguruar për dëmet e papagauara.

Trendi i raportit Dëme Prime Neto në 10 vitet e fundit nga 2008-a për sigurimet jo-jetë nuk i afrohet në asnjë rast 50 përqindëshit dhe është shumë i luhatshëm.

Sipas statistikave që disponojmë nga Drejtoria e Statistikave në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, viti me raportin më të lartë Dëme Prime Neto për sigurim jo jetë rezulton viti 2013 me 49, 87% dhe raporti më i ulët është shënuar në 2008-ën me 25.70 %.

Sipas Drejtores së statitikave në AMF, Pranvera Berberi, raporti dëme/prime neto luhatet në nivelin 30-35%. “Në tremujorin e tretë të 2011, me liberalizimin e tregut të sigurimeve në lidhje me përcaktimin e primit të sigurimit për MTPL si dhe me hyrjen në fuqi të metodogjive të reja të provigjonimit të dëmeve bazuar në teknikat aktuariale, kemi një rritje të raportit në vitin 2011.

Viti 2013 karakterizohet nga një konkurrencë e ashpër në treg ku në shumicën e rasteve primi i sigurimit i paguar nga konsumatorët ka qenë më i ulët se primi i riskut i përcaktuar nga vetë shoqëritë. Kjo ka sjellë një rënie të primeve të shkruara dhe si rrjedhim i atyre të fituara për periudhën. Në vitet e fundit, pas 2013, edhe pse në vlerë absolute volumi i dëmeve të paguara ka ardhur në rritje, kemi një rënie të raportit dëme/prime neto. Në rënien e raportit dëme/prime për tregun e sigurimeve jo-jetë ka ndikuar rritja më e shpejtë në primet e shkruara bruto me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e primeve të fituara neto, kundrejt rritjes në dëmet e paguara neto dhe shpenzimet neto për dëmet e paguara.”-thotë Berberi.

Detyrimi në total që 11 kompanitë e sigurimit të liçensuara nga AMF u kanë personave të dëmtuar arrin në në më shumë se 1 mld e gjysmë lekë.

Kjo shumë do të ndahet mes 524 personave dhe është pjesë e Fondit të Kompensimit për aksiedentet e kryera për periudhën nga viti 2001 e më pas.

Pas kërkesës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për praktikat e miratuara por të papaguara, objekt i Fondit të Kompensimit nga viti 2001e në vazhdim, Byroja Shqiptare e Sigurimit ka publikuar për herë të parë një listë emërore me përfituesit, me të cilët nuk është arritur të kontaktohet.

Byroja i kërkon përfituesve të listës emërore që të paraqiten pranë zyrave të saj, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, për të përfunduar me procedurat e pagesave.

Autoriteti thotë se  e konsideron shlyerjen e detyrimeve të praprambetura që nga viti 2001, objekt i Fondit të Kompensimit ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së tij gjatë vitit 2018.

Kjo vlerë sipas AMF-së pritet të ndryshojë në periudhat e ardhshme për shkak të ndryshimit të statasit të praktikës, vlerave të dëmeve në proces gjyqësor dhe në proces trajtimi të cilat paraqiten duke marrë parasysh rezevën e llogaritur, interesave mbi vonesat si dhe shpenzimeve të tjera që lidhen me ekzekutimin e tyre nga zyrat përmbarimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë