Portofol

Tregu i përbashkët energjitik Shqipëri-Kosovë, Kurti: Jemi në drejtimin e duhur

Shqipëria dhe Kosova janë duke ecur në drejtimin e duhur për themelimin e tregut të përbashkët energjitik mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e mbajtur në takimin me Bankën Europian për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Jemi duke ecur në drejtim të njëjtë me Shqipërinë me themelimin e tregut të përbashkët të energjisë i cili pritet që të funksionalizohet këtë vit dhe presim që të integrojmë më mirë kapacitetet e gjenerimit gjithashtu”, deklaroi Kurti.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, kriza aktuale energjitike tregon nevojën për rrugë alternative për prodhimin e energjisë.

“Kriza aktuale ka treguar se duhet menduar për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit, dhe që duhet menduar në terma rajonalë. Kalimi jonë drejt prodhimit të energjisë së gjelbër nënkupton më shumë sisteme të integruara dhe kapacitete të gjenerimit të cilat mund ta balancojnë njëra-tjetrën më mirë”, tha ai.

Tregu i përbashkët energjitik mes Shqipërisë dhe Kosovës vlerësohet me rëndësi të veçantë për pavarësinë energjitike mes të dyja vendet, nisur nga fakti që dy vendet janë kontemplare me njëra-tjetrën sa i takon mënyrës së prodhimit të energjisë.

Për këtë qëllim, është nënshkruar një marrëveshje kuadër mes OST-së dhe KOST tetorin e vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë