Makinat me lëndë djegëse po i mbijetojnë politikave që vendosën “vdekjen” e tyre.
Prova për këtë është vendimi i fundit i Bashkimit Europian që deklaroi se do të tërhiqej nga zotimi se deri në 2035-n do të zhdukte makinat me naftë apo benzinë dhe do të kishte vetëm elektrike (EV). Njoftimi erdhi një ditë pasi gjigandi i makinave Ford tha se ka hequr dorë nga prodhimi i makinave elektrike, njësoj si shumë prodhues të tjerë që po i lënë në plan dytësor “strategjitë e mbrojtjes së klimës”.
Këto zhvillime tregojnë se tranzicioni energjetik është shumë më i alrgët nga se e kishim menduar dhe se makinat ndotëse do të vazhdojnë të dominojnë rrugët e Europës dhe Amerikës për të paktën edhe disa dekada. Kjo po ashtu thellon edhe kontrasttin midis Perëndimit dhe Kinës, që ka zhvilluar një treg të mjeteve elektrike, me mbështetjen e shtetit.
Në SHBA, ku presidenti Donald Trump i quan makinat elektrike si “mashtrim”, Shtëpia e Bardhë ka ndërprerë ndihmat ekonomike për ata që donin të blinin makina elektrike. Po ashtu njoftoi se do të zbusë kriteret për mjetet dhe kamionët, që ishin vendosur më herët në kuadër të mbrojtjes klimatike.
Zyrtarët europianë thonë se favorizojnë një të ardhme kryesisht elektrike, dhe shumë vende ende kanë incentiva për automjetet elektrike. Por Brukseli është përballur me presion të madh nga prodhuesit e automjeteve të kontinentit për të zbutur ndalimin e planifikuar për vitin 2035. Prodhuesit e “vjetër” të makinave, me fuqinë punëtore të madhe dhe fabrikat e ndërtuara për motorë me djegie të brendshme, kanë pasur vështirësi të konkurrojnë me EV-të kineze, që janë me kosto të ulët dhe cilësi të lartë.
Propozimi i rishikuar do t’i detyrojë prodhuesit të arrijnë reduktimin e 90% të emetimeve të flotës krahasuar me nivelin e vitit 2021. Kjo do të thotë se shumica e automjeteve do të jenë plotësisht elektrike. Por gjithashtu lejon hapësirë për hibride duke përfshirë ato me opsion plug-in dhe automjete me karburant.
Ferdinand Dudenhöffer, drejtori i Qendrës për Kërkimin Automobilistik në Bochum, Gjermani, tha se sheh industrinë globale të ndahen në tre pjesë – një në Shtetet e Bashkuara, plotësisht mbështetëse e makinave me benzinë e naftë; një në Kinë, e fokusuar tërësisht në EV; dhe një tjetër në Europë, ku politikat tani janë të paqarta. Ai tha se prodhuesit kinezë do të përfitojnë më së shumti nga kjo dinamikë, sepse tregu kinez tejkalon atë amerikan dhe europian dhe duket se do të vazhdojë të rritet dhe të elektrifikohet.
Tregjet amerikane dhe europiane kanë pasur vështirësi të shkëputen nga automjetet me djeguie sepse motorët me djegie të brendshme kanë marzh më të lartë fitimi. Por kjo strategji i vendos ata në një pozicion të vështirë afatgjatë.
“Në të ardhmen, Kina do të vendosë rregullat e industrisë automobilistike,” tha Dudenhöffer.
Me një leje për të vazhduar prodhimin e makinave me benzinë, ai tha se prodhuesit perëndimorë “fitonin një përfitim afatshkurtër. Por në plan afatgjatë, ata humbasin shumë. Avantazhet e prodhuesve kinezë do të rriten gjithnjë e më shumë.”
Ford, në njoftimin e saj, tha se po kërkonte “mundësi me kthim më të lartë” duke zgjeruar opsionet me benzinë dhe hibride. Ajo tha se do të prodhojë një kamion me benzinë në një fabrikë në Tennessee, ndërsa pezullon prodhimin e EV-së kryesore, F-150 Lightning.
Prodhues të tjerë si Volvo dhe Porsche gjithashtu kanë tërhequr planet më ambicioze për EV. Më herët këtë vit, Stellantis, që përfshin markat Jeep dhe Fiat, ka ndryshuar drejtimin duke u larguar nga planet për të qenë plotësisht elektrik në Europë deri në 2030.
Ndalimi i automjeteve me benzinë e naftë ishte një komponent kryesor i planit të Europës për klimën, i prezantuar katër vite më parë, ndërsa zyrtarët e quajtën një “detyrë të brezave” për të shpëtuar planetin. Në atë kohë, udhëheqësit e BE-së thanë se kishin vendosur industrinë e makinave të kontinentit që përbën 7% të PBB-së së Europës në krye të inovacionit duke krijuar një objektiv të qartë për të ardhmen.
Por prodhuesit e mëdhenj të makinave, përfshirë Mercedes-Benz, Volkswagen dhe BMW, kanë parë vlerat e tyre të tregut të bien ndjeshëm. Në një gabim strategjik, EV-të që ata prodhuan zakonisht ishin të segmentit të lartë, jo për masën. Ndërkohë, udhëheqësit në Gjermani dhe Itali përshkruan objektivin e vitit 2035 si një rrezik për vendet e punës europiane.
“Një kufizim kaq i rreptë në 2035 nuk do të ndodhë, nëse është për mua,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz./Washington Post – Gazetasi.al
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




