Biznes

Tregtia e jashtme në rritje për qershorin. Kryesojnë materialet e ndërtimit dhe marrëdhënia me Turqinë

Gjatë muajit qershor 2021 tregtia e jashtme e mallrave është përmirësuar ndjeshëm në raport vjetor dhe me muajin paraardhës. Eksport-importet arkëtuan në arkë 102 miliardë lekë brenda një muaji.

Eksportet e  mallrave arritën vlerën e  35 mld lekëve me rritje 6.1% krahasuar me majin. Në raport me qershorin 2021 rritja matet 50.8%.

Importet e mallrave gjatë të njëjtit muaj kapën vlerën e 67 miliardë lekëve, me rritje 8.4% nga muaji paraardhës. Në raport vjetor, rritja  e importeve rezulton 28.9%.

Deficiti tregtar i qershorit 2021 është 32 mld lekë, duke u rritur me 11.4%, krahasuar me Qershor 2020 dhe me 11.1%, në krahasim me Maj 2021.

Në gjashtëmujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 177 mld lekë, duke u rritur me 40.9%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 354 mld lekë, duke u rritur me 305%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 178 mld lekë, duke u rritur me 21.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Në rritjen e eksporteve kanë kontribuar pozitivisht grupet e  minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 20%, materiale ndërtimi dhe metale me 14.9% dhe tekstile dhe këpucë me 4.8%.

Ndërsa grupi lëkurë dhe artikuj prej tyre ka ndikuar negativisht me -0.3%.

Grupi me rritjen më të madhe vjetore është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve me 13.9%. Sipas njohësve të fushës, kjo lidhet me rritjen botërore të vlerës së materialeve të ndërtimit dhe marrëdhënien që ka Shqipëria me këto tregje.

Në rritjen  e importit kontributin më të madh e ka dhënë grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit me 8%. Materiale ndërtimi dhe metale me 4.9%.

Nga qershori 2020 në qershorin 2021 rritjen më të madhe e ka pasur  grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit me 9.8.

Sipas vendeve partnere, Shqipëria ka shënuar rritje të eksporteve më së shumti me Greqinë 115.3%,  Kosovën 49.1% dhe Italinë 28.9. Ndërkohë ka reduktuar eksportet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën.   

Importi i produkteve për Shqipërinë është rritur më së shumti me  Turqinë 70.3%, që prej disa vitesh drejton trendin importues të mallrave në vendin tonë, pasuar nga Kina me 19%. Italia që dikur ishte vendi kryesor për importet në vend tashmë renditet e treta me rritje 16.7%.  Importet me shtetin grek kanë pësuar ulje me 0.8%.

Në Qershor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54.9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia 29.4%, Turqia 9.2%, Greqia 6.9% dhe Gjermania 6.6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë