Menaxhim

Tregjet e kapitalit, Mete: Kompanitë shtetërore të udhëheqin privatet. Plan 5-vjeçar për zhvillimin

Nga Gazeta ‘SI’ – Tregjet e kapitalit janë rikthyer dhe njëherë në qendër të vëmendjes së autoriteteve financiare në vend, duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe përfshirjen e kompanive private dhe publike.

Në një tryezë diskutimi, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi dokumentin e strategjisë së zhvillimit të këtij tregu, duke përmendur qëllimet kryesore, nga rritja e pjesëmarrësve, zgjerimi i instrumenteve financiare si p.sh ato green si edhe rritje të transparencës. Mete ritheksoi objektivin e përmendur shumë kohë më parë; listimin e kompanive me kapital shtetëror dhe zhvillimin e tregut sekondar të titujve.

Referuar ankandit të parë me ofertë private nga institucioni financiar NOA, Mete tha se ky është sinjal që tregu të zhvillohet dhe i lejon shqiptarëve të aksesojnë kapitalin e biznesit.

“Miratimi i ofertës së parë publike është një moment shumë i rëndësishëm për tregun shqiptar të kapitalit, i cili duhet të shërbejë si një sinjal për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Kjo është hera e parë që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shtuar kështu alternativat e investimit për investitorin shqiptar, si edhe mundësitë për sigurimin e aksesit në kapital për biznesin vendas”, u shpreh  Mete.  

Ai shtoi se planet për zhvillimin e këtij tregu do të shtrihen në një periudhë 5-vjeçare dhe se duhet bashkëpunim me autoritetet e tjera, si ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe aktorë të tjerë.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv foli për ecurinë e fondeve të investimit, të cilat pas rënies së vlerës së aseteve, si pasojë e efekteve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normave të interesit në vitin 2022, i janë rikthyer rritjes në 3-mujorin e parë të vitit 2023. Ai theksoi se nga monitorimi i treguesve të likuiditetit, ashtu siç u theksua edhe në raportin e fundit të FMN, rezultoi se të gjitha fondet kanë qënë në përputhje më kërkesat rregullative, si edhe në asnjë rast nuk u  cënua stabiliteti financiar.      


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë