Një burrë u hodh në një lumë plot me krokodilë për të marrë biletat për Kupën e Botës 2010, një lojtar i Uruguait u kthye në fushë menjëherë pasi pësoi një atak në zemër, një çift rus u ndanë pasi debatuan se kush ishte lojtari më i mirë, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo dhe një shqiptar la në bast gruan e tij…
Këto janë disa nga faktet e pazakonta që shkrimtari argjentinas Luciano Wernicke ka përmbledhur në versionin e fundit të librit të tij “Tregime të pabesueshme të Kupës së Botës”, botuar në 20 gjuhë, përpara ndeshjes hapëse të Kupës së Botës në Katar të dielën, 20 nëntor.
“Wernicke e shikon mbulimin e ngjarjes më të rëndësishme sportive në botë nga “perspektiva të ndryshme”, tha ai në një intervistë me Reuters, pasi “edhe historitë më të vogla përshkruajnë disi se çfarë është pasioni për futbollin”.
Në vitin 1994, shkroi ai, një shqiptar hyri në një lokal bastesh dhe vuri në bast gruan e tij në një fitore të Argjentinës kundër Bullgarisë. Argjentina humbi 2-0, gjë që më pas çoi në humbjen e gruas së tij e cila ishte, sigurisht, e tmerruar.
16 vjet më vonë, një radio në vendin pritës Afrika e Jugut ofroi dy bileta për ndeshjen finale për atë që bën gjënë më të çmendur për ti marrë ato. Më “i çmenduri” ishte një burrë që u hodh në një lumë plot me krokodilë.

Me një kapitull të ri të shtuar për çdo Kupë Botërore, ky është botimi i tretë i librit nga Wernicke dhe ai tashmë po mbledh ide të çuditshme për turneun e Katarit, i pari që do të mbahet në një vend të Lindjes së Mesme.
“Ka shumë gjëra interesante, duke filluar me të gjitha këto pretendime për bojkot dhe çështjet e të drejtave të njeriut”, tha Wernicke, 52 vjeç. “Duke lënë mënjanë spotin, padyshim që do të ketë shumë ndodhi. Ana sociale do të jetë lajm më vete”, tha ai.
Kapitulli tjetër i Wernicke mund të frymëzohet nga lajmet e së premtes ku u njoftua se nuk do të lejohet birra në stadium.
Çfarë shkruhet në libër për Kupën e Botës ndër vite:
Në vitin 1930, skuadra e Uruguait doli në fushë me bluza të bardha që kishin shkronja mbi to. Ata duhej të formonin “Viva Uruguay”. Megjithatë, një lojtar kishte disa probleme me zorrët para se të dilnin në fushë dhe ai nuk shkoi. Kështu, atëherë fjalët formuan “Viva Urugay”. Njerëzit sigurisht që nuk u argëtuan.
Në vitin 1938, Kupa e Botës u mbajt në Itali. Skuadra gjermane nuk shkoi sepse Hitleri nuk lejonte asnjë gjerman të udhëtonte jashtë vendit. Thuhet se Musolini i dërgoi një telegram çdo anëtari të ekipit italian ku thuhej: “Fito ose vdis”. A ishte motivimi i duhur? Italia fitoi atë vit.
Një lojtar gjerman i rekrutuar në minutën e fundit kishte planifikuar të martohej të nesërmen. Nës këto kushte, ai vendosi të shtynte dasmën.
Një lojtar austriak refuzoi të vishte një fanellë me kryqin nazist në lojë. Ai vdiq disa muaj më vonë në rrethana të dyshimta. Sistemi austriak i postës u prish për shkak numrit të madh të letrave dhe telegrameve të ngushëllimit nga e gjithë Europa.
Në një ndeshje, një lojtar rrëshqiti dhe goditi kokën në një shtyllë në stadium. I duheshin katër qepje por përsëri vazhdoi të luante për ekipin e tij.
Një tjetër lojtar pësoi një atak në zemër gjatë lojës. Ai u nxor jashtë dhe u trajtua nga një mjek. Kur loja shkoi në kohë shtesë, ai u kthye dhe luajti për ekipin e tij.
Kur Kupa e Botës u mbajt në Brazil, skuadra nga Uruguai fitoi. Tifozët brazilianë ishin aq të tërbuar sa nuk e lanë menaxherin brazilian të dilte nga stadiumi. Ai u strehua në një dhomë të zhveshjes dhe qëndroi atje për 48 orë. Më vonë ai u arratis duke veshur një fustan gruaje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



