Në sallën “Lumo Skëndo” të Bibliotekës Kombëtare, paraditen e 14 dhjetorit u akordua edhe çmimi kombëtar i bibliofilisë për vitin , që mban po emrin Lumo Skëndo.
Ky çmim iu akordua shtëpiash botuese “Kuteli” për botim të hijshëm e nostalgjik, ilustruar grafikisht nga mjeshtri Gazmend Leka, të përmbledhjes me rrëfenja “Tregime të moçme shqiptare”, një prej veprave më mbresëlënëse e më të dashura të letërsisë shqipe të çdo moshe, trashëgim monumental nga pena e rrëfimtarit mjeshtëror Mitrush Kuteli.Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, ia dorëzoi çmimin Atalanta Paskos, themeluese e Shtëpisë botuese “Kuteli” dhe bijë e shkrimtarit Mitrush Kuteli.
“Në këtë botim janë bashkuar disa vlera, ajo grafike dhe e ilustrimit me rrëfimtarinë dhe tregimet, por edhe përkushtimi dhe puna e palodhur e Elzana Agollit dhe shtypshkronjës “Mali Pleshti”, që solli këtë botim cilësor”, do të shprehej zonja Pasko, gjatë ceremonisë. Edicioni i vitit 2017 i përmbledhjes “Tregime të moçme shqiptare” nga shtëpia botuese “Kuteli” është një botim special, që përkon edhe me 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit.
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” nga viti 2013 i është besuar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. I akorduar për herë të parë në vitin 2006, është çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.Kjo ceremoni u cilësua edhe si përmbyllësja e një vargu veprimtarish kushtuar figurës së Mid’hat Frashëri, apo “Lumo Skendo”, pseudonimi letrar me të cilin u identifikua kulturalisht gjatë gjithë krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij letrare e botuese ashtu edhe patriotike, shkencore e diturore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.