Njerez

Trefish më shumë vetëvrasje se vrasje! Sociologët: Ende s’jemi përshtatur si shoqëri

Shpeshtësia e fenomenit të vetëvrasjes në Shqipëri, megjithëse ka njohur trend rënës, shfaqet gati trefish më e lartë se fenomeni i vrasjes.

Sipas INSTAT, teksa në 2015-ën shpeshtësia e vrasjeve ka rezultuar 2.8 individë për 100 mijë banorë, vetëvrasjet në të njëjtin vit kanë rezultuar 5,3 individë për 100 mijë banorë.
Edhe një vit më pas raporti vrasje/vetëvrasje për 100 mijë banorë ka qenë 3,4/8 dhe në 2017-n ky raport ka rezultuar 2,4/6,2 për 100 mijë banorë.

Sociologu Gëzim Tushi e shpjegon fenomenin e vetëvrasjes në Shqipëri si vështirësi adaptimi me sitemin e ri pas viteve '90.

Gëzim Tushi, sociolog

Ai sqaron për Gazetën “Si” se vetëvrasja në Shqipëri nuk është një patologji kolektive, pasi ky fenomen ndodh intensivisht edhe në botë.

“Është krizë përshtatjeje. Përpara viteve “90 individët kishin pika referimi të sigurta. Ndiheshin më të qetë të lidhur me zinxhirët shpirtërorë, emocionalë, moralë, politikë, ekonomikë të shtetit.

Njerëzit më parë nuk kishin kohë të mendonin për vetëvrasjen, nuk e kishin këtë luks, as atë të ekzibicionizmit”- argumenton sociologu Tushi duke vijuar logjikën krahasuese me kohën e sotshme. “Sot njerëzit ndihen të pasigurt në punë, ekonomi, risqe, garë, rivalitet. Kjo që po ndodh është krizë sociale ekzistencialiste. Frikë nga realiteti i pasigurtë”, thotë ai.

Për profesor Tushin, vetëvrasjet kryesisht për pamundësi larje borxhesh, ndarje nga bashkëshorti ose i dashuri, papunësia etj, janë vetëvrasje egoiste sepse gjejnë rrugën më të lehtë për të larë duart nga përgjegjësitë e jetës. Ai e konsideron këtë model të fenomenit të vetëvrasjes më të keqin, sepse ka mbështetje edhe nga shoqëria.

“Shoqëria i konsideron për gjynah, por janë të pajustifikueshme. Është një akt që stimulohet nga jeta vanitoze dhe papërgjegjshmëria”, thotë Tushi.

Profesor Tushi shpjegon se kjo kategori njerëzish që bëjnë vetëvrasje egoiste, mbeten në logjikën e kryerjes së akteve individuale, duke iu shmangur përgjegjësive të jetës. Sipas tij, ata njerëz nuk do të mundnin të merrnin parasysh pasojat duke vrarë dikë që nuk është vetja, për t'i faturuar problematikat e realitetit.

Prandaj, thotë ai, kemi më shumë vetëvrasje se vrasje. “Është më e lehtë”. Duke shpjeguar modelet e tjera të vetëvrasjes, ai nënvizon vetminë sociale dhe zgjerimin e sëmundjeve të shëndetit mendor.

Sa më shumë të kemi njerëz të vetmuar, thotë profesor Tushi, që shkëpusin lidhjen me shoqërinë, botën, aq më shumë nxiten vetëvrasjet.

Edhe sociologia Entela Binjaku e vë theksin tek izolimi dhe vetmia, pavarësisht - thotë ajo - se “sërish kemi mbetur në vend lidhur me shkaqet që çojnë në këtë vendim, përmes shprehjes: “Shkak mendohet të ketë qenë depresioni”. Depresioni përse? Që kur? Si? Sa ka qenë njohur, si është trajtuar?”

Entela Binjaku, sociologe

Sipas saj, për psikën tonë shoqërore, vetmia është një ndër konceptet për të cilat flasim pak ose aspak.

“Herë prej turpit, herë prej krenarisë për ta pranuar, herë prej stepjes së moskuptimit apo frikës prej stigmatizimit, herë sepse vetmia “nuk na përket” etj. Vetmia është një nga ato gjendje psikike që përfshin një gamë të gjerë, që nga ato kalimtaret, tek ato që zgjasin një kohë të shkurtër, që varion tek ndjenja kronike e izolimit psikik, që lidhet me mungesën e komunikimit, të mosbesimit tek te tjerët, duke arritur deri tek forma më e ashpër e saj dhe e skajshme që mund të çojë në vetëvrasje”, sqaron Binjaku.

Sipas sociologes, në çdo shoqëri ka disa grupe që ndodhen në situata sociale të riskut: adoleshentët, të rinjtë, të divorcuarit, pakicat apo grupet e margjinalizuara, njerëzit me aftësi të kufizuara, të varfërit etj, që janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj vetmisë.

Por, sqaron sociologia, efektet e vetmisë janë të ndryshme nga njëri tek tjetri dhe dallojnë në varësi të moshës, gjinisë, gjendjes konkrete dhe terapisë që ndjek për patologjinë etj.

Ndërkohë vetmia ndryshon, edhe lidhur nga burimet e saj. Për sociologen Entela Binjaku një problem në lidhje me fenomenin është mungesa e një plani apo strategjie për parandalimin.

“Tiparet e shoqërisë moderne janë të shprehura, flitet pak për të kërkuar ndihmë dhe ofrohet pak ndihmë e specializuar. Qendrat e këshillimit në komunitet mungojnë dhe këto të marra bashkë, nuk arrijnë të ndalin prirjet e disave më të rrezikuar për t’i dhënë fund jetës”, thotë ajo. Binjaku shpjegon se hapat që kanë rezultuar me efikasë janë: edukimi nëpërmjet mas-medias lidhur me trajtimin me përgjegjësi të prirjeve për vetëvrasje, aftësimi i të rinjve për t’i bërë ballë stresit, ndihma e njerëzve në rrezik dhe ulja e aksesit tek mjetet e rrezikshme siç janë psh pesticidet.

Kurse për profesor Tushin edhe vendi ynë ka mundësi dhe kapacitet për ta parandaluar dhe zbutur fenomenin e vetëvrasjes.

Për këtë - sipas tij - duhet një kujdes më i madh për të sëmurët e shëndetit mendor, të bëhet depistimi i tyre dhe integrimi në jetë dhe në tregun e punës.

Vetëvrasjet në botë

Pak ditë më parë bota përkujtoi Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve. Organizata Botërore e Shëndetit raportoi se në botë cdo vit janë mbi 800 mijë njerëz që i japin fund jetës. Më thjeshtë, një njeri në botë vetëvritet çdo 40 sekonda.

Shifrat mbeten ende shqetësuese edhe pse në vitet e fundit në rang botëror fenomeni ka njohur rënie.

Vetëvrasja përbën edhe shkakun e dytë të vdekjeve në botë tek të rinjtë e moshave 15 deri në 29 vjeç, pas aksidenteve rrugore.

Studimet thonë se numri i vetëvrasjeve është më i lartë në vendet e prekura nga lufta, më i lartë në Europën Qendrore dhe më i ulët në Europën meridionale.

Ndër vendet me numrin më të lartë të vetëvrasjeve renditet Hungaria dhe me numrin më të ulët Italia. Në shoqërinë tonë numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë është më i ulët krahasuar edhe me Italinë, por shqetësues është numri në rritje nga viti në vit dhe shkaqet e patrajtuara që sjellin për pasojë shuarjen e një jete.

OBSH bëri me dije se vetëm 38 shtete kanë hartuar strategji për parandalimin e vetëvrasjes.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, u shpreh në ditën ndërkombëtare të vetëvrasjes se "çdo vdekje është një tragjedi për familjarët, miqtë dhe kolegët. E megjithatë, vetëvrasjet mund të ndalohen”.

Sipas OBSH-së, në shkallë botëore vetëvrasjet kanë rënë me 9.8%, duke e çuar numrin në 10.5 vjekje në 100.000 banorë në vitet 2010-2016.

Vetëm SHBA ku aksesi në armët e zjarrit përbën një mjet të rëndësishëm për vetëvrasjet, janë i vetmi rajon ku për të njëjtën periudhë që flasim, shkalla erdhi në rritje me 6%. OBSH ka njoftuar se pikërisht ndalimi i pesticideve nga 1995 në 2015 në Sri Lanka ka ulur shkallën deri në 70%.

Në Korenë e Jugut një politikë e ngjashme e përgjysmoi shkallën e kësaj dukurie në vitet 2011-2013.

Edhe tek ne përdorimi i pesticideve është i lartë. Pesticidet përdoren sepse janë shumë helmuese, nuk kanë kundërveprues dhe përdoren në zona të izoluara ku edhe ndihma mjekësore vonon të vijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë