Gazeta Si - Tre bashkëpunëtorë të Gëzim Çelës, i njohur si "Baroni i drogës", janë arrestuar me urdhër të SPAK, në vijim të operacionit "Flakë në det" i nisur me datë 15.08.2023, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.
Sipas SPAK, ata janë, Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj, emrat e të cilëve kanë dalë nga bisedat e përgjuara të ish-policit Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, i cili ra në pranga gushtin e kaluar në kuadër të operacionit “Flakë në det”.
Prej këqyrjes së telefonit të tij u zbuluan edhe bisedat me Arben Dalipajn, i cili në dosjen e SPAK cilësohej si “Kapelja” dhe që dyshohet si personi që drejtonte gomonen. Dalipaj është i vetmi që arriti t’u shpëtonte prangave dhe prej shumë muajsh është i shpallur në kërkim.
Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit ndaj tre trafikantëve të arrestuar, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe biznese.
Nga operacioni "Flakë në det", u arrestua edhe Dritan Metaj, i cili dyshohej se shoqëronte të njohurin si "Baronin e drogës", Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës.
Në 7 mars të këtij viti, nën masa të rrepta sigurie nga dhjetëra forca speciale të RENEA-s, Gëzim Çela u ekstradua nga Kosova në Shqipëri. Ai akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë.
Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri, pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90.
Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.
I konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës, ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe, ku policia i gjeti 18 kilogramë kokainë disa vite më parë.
Ooperacioni "Flakë në det", u zhvillua më 15 gusht të vitit të shkuar, ku në pranga ranë 4 shqiptarë dhe dy ukrainas. U prangosën: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe dy shtetas ukrainas: Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë. Ata u kapën duke trafikuar lëndë narkotike me mjete lundruese.
Ata akuzohen si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.