Lajme

Tre policë të lënduar gjatë protestës, Lleshaj: Degradim i opozitës

Policia e Shtetit ka dënuar aktet e dhunës në protestën e sotme të opozitës para sheshit tek Parlamenti. Një një komunikatë zyrtare, Policia e Shtetit shprehet se protesta ishte në kundërshtim me ligjin dhe deklaron se 3 policë kanë mbetur të lënduar.

Sipas policisë, efektivët e angazhuar për ruajtjen e rendit vepruan në përputhje me ligjin dhe profesionalizëm.

“Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë”, thote Policia e Shtetit.

Në komunikatë raportohet se gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit.

“Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”.

Policia e Shtetit vijon më tej duke thënë se është ngritur një grup hetimor për identifikimin e autorëve të përfshirë në akte dhune.

“Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme. Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune”.

Policia e Shtetit shprehet se punonjësit e saj, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit, vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin, duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Policia e Shtetit shprehet më tej se mbetet e angazhuar të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës së opozitës ditën e sotme. Në një postim në Twitter ai shkruan se ndjen keqardhje për opozitën, dhe respekt për atë që e cilësoi përgjegjshmëri e profesionalizëm të Policisë së Shtetit.

Ai shton më tej se, sipas tij Policia e shtetit u vu në shënjestër “të dhunës së verbër që mësynte ndaj Kuvendit të Shqipërisë”.

“Edhe sot Policia e Shtetit u vu në shënjestër të dhunës së verbër që mësynte ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Keqardhje për degradimin e opozitës parlamentare në gjendje parapolitike dhe respekt për përgjegjshmërinë e profesionalizimin e Policisë së Shtetit”, shkruan Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë