Art dhe Kulture

“Tre Dimrat” në Teatrin Metropol, regjisorja Kostani: Problemet e shoqërisë përmes zërit të grave

Gazeta Si – Problematikat që shpalosen në dramën “Tri Dimrat” të dramaturges kroate, Tena Stivicic, kanë ngacmuar imagjinatën regjisoriale të Rozi Kostani. Tri periudhat historike të tranzicionit që kanë kaluar apo vazhdojnë të jenë në proces popujt e rajonit tonë, si Shqipëria e Kroacia regjisorja Rozi Kostani orvatet t’i zbërthejë nëpërmjet vënies skenike, shfaqje e cila do të vijë premierë prej 24 shkurtit në Teatrin Metropol për publikun.

Teatri Metropol e vë këtë shfaqje për herë të parë në skenë, duke çelur edhe sezonin e ri artistik.

Shfaqja “Tri Dimrat” rikthen në skenën teatrore për publikun aktorë të njohur të teatrit tonë si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani etj.

Regjisorja Rozi Kostani shprehet për Gazetën “Si” se “Tri Dimrat” është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne, duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

“Ngjarjet fokusohen në tri dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Këto tri realitete shkojnë me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tri periudhave në Shqipëri si: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pazgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre net të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, ngjarje personale, sekrete që mbeten për t’u zbuluar”, shprehet Kostani për Gazetën “Si”.

Regjisorja Rozi Kostani

Rrethana kohore është dimri në të tri vitet e referuara. Kostani thotë se zbulimi i pemës së kësaj familjeje dhe sekretet e saj, janë të rëndësishme për ne që po e punojmë.

“Pjesë e kësaj zbulese janë edhe personazhet. Vepra ka gjuhë filmike si në mënyrën e rrëfimit të historisë, po ashtu edhe në aksionin e skenave dhe diskursin e personazheve”, shprehet më tej regjisorja.

Fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje. Në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Europën moderne.

“Ngjarja shkakore e vitit 1945 që nxit veprimin skenik është përfundimi i luftës dhe ardhja në pushtet e komunistëve, e cila tashmë është kthyer në rrethanë kushtëzuese për personazhet. Ngjarje personale është zgjedhja e çelësit të shtëpisë, (ku është e pamundur për t’iu shmangur thirrjes së gjakut), pavarësisht qëllimit të hakmarrjes. Personazhi Roza zgjedh çelësin e shtëpisë, nga e cila është dëbuar foshnje, bashkë me mamanë e saj një natë të ftohtë dimri. Ajo zgjedh e udhëhequr nga hakmarrja, pa e ditur që po shkon drejt rrënjëve të gjakut të saj”, vijon më tej regjisorja.

Në shfaqjen teatrore, pjesë e saj do të jenë edhe trupa e ansamblit “Tirana” Sedmir Memia, Sara Koçi, Xhoni Spahi, Luisa Dinellari, Mario Bali, Adela Gjyla, Stiv Osmanaj, Megi Duka, Mariglen Domi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë