Lajme

Tre avionët e SHBA stërvitje në Shqipëri, Xhaçka viziton bazën e Kuçovës

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bashkë me të ngarkuarën me punë në ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones kanë bërë një vizitë në bazën ajrore të Kuçovës.

Xhaçka dhe Moses Ones kanë parë nga afër tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre, pjesë e njësisë së operacioneve speciale amerikane në Evropë, të cilët po përdorën këto ditë për qëllime stërvitore infrastrukturën dhe hapësirën tonë ajrore, e cila pritet të përmirësohet ndjeshëm me investimin në Bazën Ajrore të Kuçovës.

Për ministren Xhaçka, kjo prani e avionëve të tillë në vendin tonë është shenjë e besimit që SHBA ka te Shqipëria.

“Prania e avionëve të përmasave të tilla të ushtrisë amerikane është dëshmi e vëmendjes gjithnjë e më të shtuar të SHBA ndaj Shqipërisë, vëmendje që vitet e fundit është konkretizuar me modernizimin e FA dhe trajnimin e ushtarakëve tanë”, tha ajo.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale, Xhaçka thotë se janë disa ushtarak të lartë shqiptarë, të cilët po trajnohen në SHBA për të drejtuar helikopterët Black Hawk

“Ndërkohë që njësia e operacioneve speciale amerikane zgjedh Shqipërinë si vendin e duhur për stërvitjen e tyre, në anën tjetër të oqeanit, një grup pilotësh të Forcës sonë Ajrore po stërviten për përdorimin e helikopterëve Black Hawk. Falënderoj Qeverinë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë për kontributin në rritje dhe vëmendjen gjithnjë e më të madhe ndaj hapave të sigurt që vendi ynë po hedh në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes”, theksoi Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë