Vende dhe Udhetime

Travel Radar: Shqipëria një nga 3 destinacionet për 2025

Nga Gazeta Si- Me çmimet e udhëtimeve në rritje dhe destinacionet popullore të mbipopulluara, shumë udhëtarë po largohen nga pushimet kryesore në kërkim të përvojave të përballueshme ose të panjohura. Nga Europa bregdetare në Afrikën ekuatoriale, ‘Travel Radar’ e rendit Shqipërinë si një nga tre destinacione në zhvillim që mund të jenë ndër zgjedhjet më të mira të vitit 2025.

“Me malet e saj të ashpra, Alpet veriore të paprekura dhe bregdetin bruz Ksamilit, Shqipëria është shndërruar nga një sekret për udhëtarët me çanta shpine në një konkurrente serioze midis vendeve të nxehta turistike alternative të Europës”, shkruan ‘Travel Radar’, duke shtuar se Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara ka raportuar se u rendit i treti vend në rritjen globale të turizmit, me një rritje prej 80 për qind të vizitorëve krahasuar me vitin 2019.

Media e huaj shkruan se Shqipëria po shfaqet si një alternativë e përballueshme ndaj destinacioneve të njohura mesdhetare, duke ofruar peizazhe të larmishme për një gamë të gjerë udhëtarësh.

“Vija bregdetare i përshtatet pushimeve në plazh, ndërsa liqenet, gjiret dhe shtigjet malore u tërheqin vëmendjen eksploruesve të natyrës. Më pak i globalizuar se fqinjët e saj, vendi ka ruajtur mikpritjen e tij tradicionale, me një përzierje kulturore të ndikimeve osmane dhe greke. Muzika popullore, zakonet dhe identiteti i fortë lokal e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për turistët”, shkruan ‘Travel Radar, teksa shton se plazhet mahnitëse dhe qytetet bregdetare të Rivierës Shqiptare rivalizojnë destinacione si bregdeti i Greqisë, por me një çmim shumë më të ulët.

“Infrastruktura turistike është përmirësuar gjithashtu vitet e fundit. Për më tepër, linjat ajrore kanë zgjeruar shërbimin drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës gjatë pesë viteve të fundit”, shkruhet në artikull.

Në përfundim, shkrimi mbyllet duke thënë se Shqipëria nuk është vetëm një destinacion në zhvillim i përballueshëm me më pak turma por edhe po ripozicionohet në skenën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë