“Travel Fest Albania” mbërrin këtë vit në edicionin e dytë në vendin tonë. Festivali ndërkombëtar i filmit dhe fotografisë “Travel Fest Albania” këtë vit zhvillohet në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër.
Në 5 kinema në datat dje deri më 7 korrik shfaqen filma të përzgjedhur.
Sipas organizatorëve përmes tyre do të udhëtohet në vende ekzotike, në bukurinë e kulturave, peizazheve dhe mrekullive natyrore.
Shqipëria një destinacion i përzgjedhur i filmave travel, mirëpret edhe këtë vit autorë nga gjithë bota, ku ceremonia e hapjes së festivalit u bë tek Amfiteatri i Tiranës.
Themeluesi i festivalit, Pandeli Çeço, është shprehur se këtë vit festivali është me më shumë aktivitete.
“Këtë vit kemi zgjerim të aktiviteteve, më tepër filma dhe autorë, por e kemi zgjeruar dhe gjeografikisht. Duke qenë se tema e festivalit aq sa përmban filmin përmban dhe promovimin e destinacioneve turistikë shqiptare, këtë vit kemi shfaqje filmash edhe në Gjirokastër e Durrës”, tha ai.
Drejtori artistik, Gentian Kurti, është shprehur se filmat do të shfaqen në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar gjatë paradites dhe pasdite te Amfiteatri te liqeni.
“Filmat në Gjirokastër do kenë lidhje dhe me trashëgiminë, turizmin kulturor dhe në Durrës do të ketë filma që prekin eksplorimin, detin”, thotë Kurti.
Më herët për këtë festival bëhej me dije se ka pasur një numër të madh aplikimesh me filmat për të marrë pjesë.
Sipas faqes së “Travel Fest Albania” ka pasur aplikime nga mbi 70 vende. “Urime të gjithë autorëve të 112 filmave të përzgjedhur për konkurrim në ‘Travel Fest Albania 2023’. Këtë vit kemi marrë një numër të madh aplikimesh nga mbi 70 vende, duke shfaqur një nivel të jashtëzakonshëm cilësie dhe krijimtarie. Kemi kënaqësinë të njoftojmë se të gjithë filmat e përzgjedhur do të shfaqen në 5 kinema gjatë festivalit, i cili do të zhvillohet nga data 3 deri më 7 korrik”, thuhej në faqen e festivalit.
112 filmat do të gjykohen nga 18 anëtarë të jurisë shqiptarë dhe të huaj. Ndërkohë pas shqyrtimit të aplikimeve të shumta për konkursin e fotografive të “Travel Fest Albania”, juria parazgjedhëse ka zgjedhur 30 foto në 6 kategori.
“Këto foto do të ekspozohen në një ekspozitë gjatë festivalit tek Amfiteatri i Tiranës, nga data 3 deri më 7 korrik. I shprehim urimet tona të përzemërta të gjithë autorëve të përzgjedhur për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”, thuhet në faqen e “Travel Fest”.
Jashtë konkurrimi në këtë festival vjen “Pirro dhe Antigona” mbështetur në legjendën e Antigoneas.
Filmi vjen me regji dhe skenar nga Suela Bako, mbështetur në tregimin me të njëjtin titull nga Lindita Komani. Filmi do ta ketë premierën më 5 korrik në mbrëmje në Amfiteatrin e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.