Gazeta Si – Në kampin çek deri tani kanë folur për një fitore gati të sigurt ndaj Shqipërisë nesër në Pragë. Por ndryshe mendojnë kapiteni Souçek dhe trajneri Jarosllav Shilhavi, të cilët e vlerësojnë skuadrën tonë si një kundërshtar aspak të lehtë për të kaluar.
Trajneri Shilhavi ka evidentuar faktin se lojtarët e Shqipërisë luajnë në Serinë A dhe se me Silvinjon në stol skuadra jonë është përmirësuar shumë. Numri 1 i stolit çek u druhet daljeve të shpejta të kuqezinjve:
“Nuk e nënvlerësojmë Shqipërinë. Është ekip shumë i vështirë, me individualitete, me lojtarë që luajnë në kampionate të njohura. Shumë prej tyre luajnë në Serinë A dhe kjo do të thotë se nuk janë lojtarë jo të dobët.
Trajneri i tyre ka ardhur në fillimin e vitit dhe janë përmirësuar, janë më të organizuar. Shqipëria del shpejt përpara, është e rrezikshme, ndaj dhe duhet të jemi të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes, sepse një gabim mund ta vendosë atë.
Nëse fitojmë, ecim përpara, por asgjë nuk do të ishte e mbyllur. Lojtarët tanë janë në formë, i kemi të qarta idetë tona. Formacioni? Nuk e them këtu, por është i ngjashëm me atë të ndeshjeve të fundit”, – u shpreh trajneri Shilhavi në konferencën për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.