Njerez

Tragjedia shqiptare në Itali, babai që humbi 3 fëmijët dhe nipin tregon bisedën e fundit me vajzën para aksidentit

Ardian Hyseni flet për mediat italiane pas aksidentit tragjik në Rexhio Emilia: E pashpjegueshme! Vajza e madhe Shane më tha: ‘Bëj gati Rejanën dhe Resatin se do vij t’i marr që të shkojmë në një restorant’

Gazeta Si – “Ja, shikoni këtu, dje në mëngjes i dërgova në park dhe tani nuk janë më…”. Me duart që i dridhen dhe sytë e skuqur nga lotët, Ardian Hyseni, babai i 3 fëmijëve dhe nipit të tij të vogël që humbën jetën në aksidentin tragjik në Reggio Emilia të Italisë, kujton momentet e bisedën e fundit me vajzën e tij para tragjedisë në rrugë.

LEXO EDHE:
Aksident tragjik në Itali, shuhet një familje shqiptare. Mes tyre 3 fëmijë

Duke folur për median italiane “Il Resto del Carlino”, Ardiani tregon celularin, ku shfaq foto dhe video të fëmijëve të tij.

I pranishëm në vendin e tragjedisë, ai nuk ka guxim as të kthehet drejt shtëpisë ku u përplas makina dhe i kthen shpinën. Ai përshkruan momentet tragjike, pikërisht aty, dy metra larg shtëpisë së pabanuar në atë të rrugës, që i mori njerëzit më të dashur: 2 vajzat, djalin dhe nipin.

“Vajza ime Shane insistoi shumë dhe më tha: ‘Babi, po vij të marr Resatin dhe Rejanin sonte. Vishini mirë, do t’i marrim me vete në darkë’. Ata shkuan të hanin sushi në një restorant japonez në Rexhio. Isha i qetë, aq sa më kishte zënë gjumi në shtëpi. Pastaj befas, pas orës 20:00 më telefonoi policia”, rrëfen ai.

Bashkë me gruan, Anjezën shkuan drejt vendit të ngjarjes. Aty e gjithë bota u ra mbi kokë. Bashkëshortja nuk e përballoi dot lajmin e kobshëm. Ajo ra menjëherë në tokë dhe për pasojë u dërgua në spital.

“Një tragjedi pa shpjegim”, thotë Ardiani. Me të në mëngjes, në vendin e ngjarjes shkuan edhe disa të afërm.

“Ka diçka të çuditshme në dinamikën e aksidentit”, shprehen ata. Mësohet se të afërmit kanë fotografuar vendin ku ndodhi tragjedia.

“Nuk ka kamera këtu? Do donim të kuptonim çfarë ka ndodhur”, kanë vijuar ata. Të afërmit kanë pyetur edhe banorët e zonës për ndonjë dëshmi të mundshme.

Prej disa kohësh banorët vendas kanë kërkuar përmirësime të rrugës. Diskutime që nuk pretendojnë t’ia lehtësojnë dhimbjen një familjeje të tërë.

“Shane ishte vajzë e mrekullueshme. Resati dhe Rejana ishin dy fëmijë spektakolarë, inteligjentë dhe të sjellshëm. Jemi pa fjalë”, thotë një e afërme.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar të afërm të tjerë të cilët ngushëllojnë Ardianin. Por celulari i tij bie ende. Është djali tjetër.

“Është i fundit që më ka mbetur. Jeton në Francë. Ne jetojmë pranë Parmës prej disa vitesh. Punoj në ndërtim, por kemi kohë që kemi ardhur në Itali”, u shpreh ai.

Familja Hyseni, si shumë shqiptarë, emigruan vite më parë drejt Italisë nga qyteti i Durrësit për një jetë më të mirë.

“Për funeralin do të shkojmë në atdheun tonë”, ka shtuar ai.

Policia lokale njoftoi ambasadën shqiptare për të organizuar riatdhesimin e trupave të pajetë.

Një e afërme u shpreh se ka të ngjarë që dy prindërit të jetojnë në Shqipëri pas kësaj që ndodhi, e cila i qëndron afër Ardianit me këtë dhimbje të madhe.

Aksidenti tragjik ndodhi dy ditë më parë në Rexhio Emilia, ku automjeti tip “Fiat” që drejtohet nga Orjol Lame, u përplas me një shtëpi të pabanuar.

Ai pësoi dëmtime të rënda dhe u dërgua në spital, por djali i tij, Mattiasi, 2 vjeç, bashkëshortja Shane Hyseni, 22 vjeçe dhe motra e vëllai i kësaj të fundit, Rejana dhe Resat Hyseni, 8 dhe 11 vjeç, ndërruan jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Burimi: “Il Resto del Carlino”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë