Aksionet e bujshme të Policisë së Shtetit në qytetin e Shkodrës në kuadër të operacionit kombëtar, “Forca e Ligjit”, ku një grup personash të skeduar si elementë me precedentë kriminalë, e të dyshuar se qëndrojnë pas ngjarjeve më të bujshme që kanë tronditur qytetin, nuk sollën qetësinë që shkodranët prisnin.
Në këto operacionet, uniformat blu goditën dy fise, Liçët dhe Bajrat fill pas ekzekutimit të biznesmenit Arjan Ferracaku. Arjani u vra më 1 shtator gjatë kohës që ushtronte sportin e hipizmit me disa miq të tij, mes të cilëve edhe Astmer Bilali, i dyshuar si pjesë grupit të Bajrave. Persona ende të paidentifikuar po e presnin. Pasi e kanë qëlluar nga distanca, ata janë afruar dhe për t’u siguruar kanë shkrepur armët edhe dy herë të tjera në kokën e gjoksin e viktimës.
Kjo ngjarje e rëndë pasoi dy operacionet kryesore të policisë. Mbi 25 persona, kryesisht pjesëtarë të familjes Liçi u shoqëruan si të dyshuar për këtë vrasje.
Pista kryesore u tha se mbetej ajo e gjobëvënies, por më vonë kjo pistë u rrëzua dhe doli në dritë pista e dyta, ku dyshohet se Arjan Ferracaku ishte ekzekutuar gabimisht në përpjekje të autorëve për të vrarë Astmer Bilalin. Por, handikapi i madh i kësaj piste qëndron në faktin se kur gabuan “shënjestër”, pse autorët u afruan dhe qëlluan ndaj biznesmenit edhe dy plumba të tjerë për t’u siguruar që e kishin vrarë?
Hetimet u shtrinë edhe në fushën e veprimtarive të paligjshme, por deri më tani edhe kjo pistë, ashtu si dy të parat mbetet pa prova për autoritetet. Por, atë që policia dhe prokuroria duket se nuk po arrin që ta bëjë prej vitesh në qytetin e Shkodrës e arrijnë bandat rivale.
20 ditë nga vrasja e Ferracakut, policia goditi grupin e Bajrave. Në operacionin e koduar “Oaz”, policia prangosi 10 persona, mes të cilëve edhe Astmer Bilali, Safet Bajri dhe Ilir Rustemi. Lista e akuzave ndaj tyre ishte e gjatë, që nga pastrim i produkteve të veprës penale, e deri tek vrasja e prodhimi e trafikimi i lëndëve narkotike.
Operacioni u përshëndet në atë kohë edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Operacioni “Forca e
— Fatmir Xhafaj (@FatmirXhafaj) September 22, 2018
Ligjit” goditje ndëshkuese njëkohësisht në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam (Holandë), me disa të arrestuar për një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit.
Detajet në Konferencë për media, sot në 10.00, në Policinë e Shtetit.
Sot, as ky operacion dhe as aksionet e tjera të Policisë së Shtetit duket se nuk kanë sjellë qetësinë në qytetin e Shkodrës. Së fundmi u ekzekutua Fatos Ferracakum, që ishte kushëri me Arjan Ferracakun dhe u plagos një miku i tij. Fatos Ferracaku dhe miku i tij ishin tregtarë të peshkut, ndërsa kur u qëlluan po pinin kafe në një lokal tek Markata në Shkodër. Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja.
Historia e përplasjeve në Shkodër nuk mbaron këtu. Në fshatin Myselim në Postribë, në gusht të këtij viti është zhdukur Gëzim Hysaj dhe nipi i tij Agron Mollaj. Familjarët e tyre besojnë se këta dy shtetas janë viktima të përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Bajri dhe Liçi.
Po në gusht, u ekzekutua me gjashtë plumba në trup edhe Fatbardh Liçi. Ai ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar, çka përforcoi dyshimet se mes dy familjeve, Bajri dhe Liçi vazhdonte përplasja e ashpër. Fatbardh Liçi ishte i skeduar në Policinë e Shtetit, për dyshimet e një vrasjeje në pritë, në vitin 2011, të Astrit Kurmemaj, gjithashtu i dënuar për vrasje. Vrasja e Fatbardh Liçit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër, por ashtu si në herët e tjera, edhe në këtë rast provat mungonin.
Për t’u kthye pak më pas në kohë. Mesnatën e 15 korrikut u ekzekutua çifti Boran Bërçama dhe Silvi Ndoci. Ndaj tyre janë shkrehur 25 plumba pistolete në momentin që po parkonin makinën poshtë pallatit ku banonin. Në makinë kanë patur edhe fëmijën e mitur, që fatmirësisht ka shpëtuar paq.
Edhe për këtë ngjarje nuk ka autorë dhe hetimet vazhdojnë ende. Së fundmi, është hedhur në qarkullim pista që dy të rinjtë të kenë mbetur viktima të një thashethemi të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, ku thuhej se Boran Bërçama kishte marrë përsipër autorësinë e vendosjes së tritolit ndaj Lulëzim Kullës, në janar të këtij viti. Bërçama, i cili mes personave të përfshirë në aktivitete të dyshimta kriminale njihej me nofkën “Pitbulli”, ishte larguar nga policia disa muaj para ngjarjes për shkak të Vettingut në polici. Ai kishte qenë në Spanjë para krimit dhe veprimtaria atje për hetuesit është e dyshimtë. “Pitbulli” njihej si njeri i afërt me pjesëtar të familjes Bajri.
Edhe pas operacioneve të shtatorit të policisë, ekzekutimet mafioze nuk u ndalën. Fatos Ferracaku iu shtua listës së gjashtë të vrarëve, nëntë të plagosurve dhe disa sulme me tritol vetëm brenda këtij viti. E përbashkëta e të gjitha këtyre ngjarjeve: janë ende pa autorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.