Drejtësia

Tragjedia në lumin Buna, Erdgys Arrazi mbetet në burg: Nuk kam shkuar ende te varri i fëmijëve

Gazeta Si – Erdgys Arrazi, babai i tre fëmijëve dhe gruas së tij të mbytur në ujërat e lumit Buna në Shkodër do vijojë të qëndrojë në burg.

Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Elona Mihali, ka vendosur të miratojë vendimin e Gjykatës së Shkodrës, duke lënë në qeli Ergys Arrazin, me akuzën për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes” dhe “Dhunës në familje”.

Para togave të zeza, i riu shpërtheu në lot dhe u shpreh se është i pafajshëm, ndërsa tregoi se ende nuk ka shkuar pranë varrit të tre fëmijëve të ndjerë.

“Ju lutem shikoni gjendjen time! S’kam vajt hala te varri i fëmijëve. Çfarë kam bërë që më mbani në burg, të paktën të di çfarë kam bërë”.

Erdgys Arrazi

Arrazi u transportua herët mëngjes nga burgu i Reçit dhe në seancë u paraqit së bashku me avokatin e tij, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe familjarët e tij.

Avokati paraqiti të gjitha dokumentet, që tregojnë se Alma Arrazi vuante nga depresioni dhe për rrjedhojë, vetëvrasjen e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike.

Arrazi kishte apeluar vendimin e gjykatës me shpresën e zbutjes së masës së sigurisë, për shkak se tashmë e gjithë familja e tij është shuar, si pasojë e mbytjes në lumë të gruas dhe fëmijëve në ditë e para të muajit maj.

Pas tre ditësh kërkime intensive në lumin Buna, policia gjeti trupin e Almës 39-vjeç dhe djalit të vogël 3 vjeç, ndërsa trupat e dy vajzave të mitura 8 dhe 9 vjeç u gjetën në ditët e para të muajit maj.

39-vjeçarja dyshohet se hodhi fëmijët dhe më pas veten në lumë pas problemeve me bashkëshortin dhe depresionin.

Policia arrestoi 3 ditë pas ngjarjes bashkëshortin Erdgys Arrazi, pasi dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Çifti kishte probleme prej kohësh, ndërkohë që familjarët e Almës akuzojnë dhëndrin e tyre se kishte dhe një lidhje paralele.

Alma Arrazi u zhduk bashkë me tre fëmijët e saj me datë 4 maj pas një takimi me kunatën duke i thënë se po shkonte në Durrës. Imazhet e fundit filmike të Alma Arrazit me tre fëmijët e mitur, ishin mbi urën e lumit “Buna” në Shkodër pak minuta para tragjedisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë