Bota

Tragjedia me 59 viktima në Koçan, qeveria maqedonase shpall 7 ditë zie

Gazeta Si – Qeveria maqedonase pritet të shpallë shtatë ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan, në seancën e sotme, e cila do të mbahet në orën 16:00.

Qeveria përmes një njoftimi thotë se do të merret vendim edhe për inspektim urgjent dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha lokalet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa.

“Do të merret vendim edhe për inspektim urgjent dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha lokalet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa”, thotë Qeveria.  Deri më tani raportohet për 59 viktima dhe 155 të plagosur, ku 18 janë në gjendje kritike për jetën.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e grupit ADN.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

Më herët drejtoresha e spitalit të Koçanit bëri me dije se disa prej viktimave ishin të moshave nga 14 deri në 24 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë