Zbulimi i një gruaje në shtëpinë e saj, vite pasi ajo kishte vdekur, frymëzoi një fushatë kombëtare në Holandë për të luftuar vetminë. Një dekadë më vonë ka një numër të madh skemash të frymëzuara nga e njëjta ide, që të gjithë duhet të kenë një vend në shoqëri.
Më 21 nëntor 2013, trupi i një gruaje 74-vjeçare u gjet në shtëpinë e saj në Roterdam. Ajo kishte 10 vite që kishte vdekur.
Gruaja quhej Bep de Bruin. Ajo u transferua në Holandë kur ishte adoleshente dhe u izolua në shtëpinë e saj pasi përjetoi një traumë të hershme, duke ndërprerë kontaktin me fëmijën e saj të vetëm.
Pra, kur Bep vdiq diku në 2003, askush nuk e kuptoi. Pensioni i saj shtetëror hynte automatikisht në llogarinë e saj bankare, ndërsa qiraja i ishte hequr. Trupi i Bep u zbulua vetëm pasi inxhinierët e gazit kishin nevojë për qasje në banesën e saj.
Kjo ngjarje i nxiti të gjithë që të veprojnë. Një politikan lokal, Hugo de Jonge, tha për median se “është prekëse kur mendon se sa e madhe mund të jetë vetmia në një qytet të madh”.
Ai nisi një skemë ku vullnetarët mund të bënin një vizitë tek të gjithë banorët mbi 75 vjeç, duke ndihmuar ata që kishin nevojë për t’u rilidhur me botën.
Kur de Jonge u emërua ministër i shëndetësisë, mirëqenies dhe sportit, ai vazhdoi kauzën, duke nisur një nismë kombëtare për të trajtuar vetminë mes të moshuarve në 2018. Dhe statistikat e fundit sugjerojnë se mund të funksionojë.
Është e vështirë të gjesh shifra të besueshme globale, por vitin e kaluar sondazhi i parë në mbarë BE-në sugjeroi se rreth një në tetë njerëz ndihen të vetmuar shumicën e kohës, ndërsa një e treta ndihet i vetmuar të paktën disa herë. Megjithatë, u zbulua se Holanda kishte një nga nivelet më të ulëta të vetmisë në Evropë.
Vetmia është një problem kompleks, me shkaqe që variojnë nga aftësitë e dobëta sociale deri te ndryshimet e mëdha të jetës dhe izolimi. Ekziston gjithashtu një lidhje e fortë midis vetmisë dhe shëndetit të dobët fizik dhe mendor.
Nisma kombëtare quhet Een tegen eenzaamheid, ose ‘Një Kundër Vetmisë’. Këshilltarët vizitojnë bashkitë, për t’i ndihmuar të krijojnë plane veprimi. Ata gjithashtu inkurajojnë bashkitë që të formojnë rrjete kundër vetmisë duke përfshirë profesionistë shëndetësorë, vullnetarë dhe biznese.

Kjo është përsëritur në nivel kombëtar, me krijimin e një Koalicioni Kombëtar Kundër Vetmisë. Anëtarët variojnë nga bankat dhe supermarketet tek organizatat bamirëse, klubet sportive dhe institucionet kulturore. Ata takohen dy herë në vit për të ndarë idetë dhe për të gjetur mënyra për të punuar së bashku.
“Shumë njerëz duan të bëjnë diçka. Një lëvizje e mrekullueshme është krijuar, me shumë iniciativa të lidhura”, tha de Jonge kur lançoi skemën për herë të parë.
Kjo nismë ka frymëzuar një sërë idesh inovative nga vende të tjera. Për shembull, zinxhiri i supermarketeve Jumbo tani ka ‘kletskassa’ speciale ose “kasa për të biseduar” në dhjetëra dyqane të tij. Klientët që duan të kalojnë kohën pa u nxituar mund të bashkohen me një korsi të veçantë të verdhë për të blerë sendet e tyre ushqimore.
Ndërkohë shërbimi kombëtar postar, Post NL, ka zhvilluar një skemë vullnetare ku punonjësit e postës mund të raportojnë një banor që ata mendojnë se mund të jetë në vështirësi.
“Ju mund t’i konsideroni punonjësit një palë veshë dhe sy shtesë në lagje,” thotë Thijs Kerckhoffs, drejtor i ndikimit social në postë.
Punëtorit i thuhet se çfarë duhet të kërkojë, si perde të mbyllura më gjatë se zakonisht ose posta të grumbulluara dhe më pas ata plotësojnë një formular me të dhënat e banorit, i cili i kalon një organizate të mirëqenies.
“Punonjësit të postës nuk i është thënë përfundimi i çështjes për arsye privatësie, por ata kanë qetësinë e mendjes se e kanë përcjellë shqetësimin e tyre,” thotë Kerckhoffs.
Skema aktualisht po zbatohet në 19 bashki. Rreth 50 alarme janë dërguar gjatë tre viteve në Roterdam, ku u gjet Bep de Bruin.
Edhe faqja e internetit One Against Loneliness promovon gjithashtu organizata sociale që mund të tregojnë prova të efektivitetit, gjë që inkurajon komunat t’i përfshijnë ato në planet e tyre.
Faqja Oopoeh bashkon të rriturit e moshuar që dëshirojnë të kujdesen për një kafshë shtëpiake me pronarë qensh të zënë. Është falas për të moshuarit, me një tarifë të vogël për pronarët e qenve.
“Disa nga klientët tanë nuk dinë ku ti lënë kafshët e tyre shtëpiake gjatë periudhës që janë në punë dhe kështu kanë gjetur zgjidhjen nga ky aplikacion, duke ndihmuar edhe të moshuarit që ndjehen të vetmuar”, thotë drejtoresha Ellen Groneman.
Oopoeh ka lidhur rreth 10 mijë njerëz deri më tani. Theo Nienhuijs, 74 vjeç, është lidhur me Jeanette dhe qenin e saj Bickel.
“Kur arrin në mesin e të 70-ave, mund t’i humbësh lidhjet,” thotë ai ndërsa ecën me Bickel në një park lokal.
“Njerëzit më njohin tani dhe më thonë përshëndetje. Unë gjithashtu kam krijuar një lidhje të fortë me Jeanette. Nëse do të kisha ndonjë problem, ajo do të ishte në krye të listës sime për të telefonuar.”
Një sondazh i pavarur pasqyron përvojën e Theos më gjerësisht. Në studim u zbulua se tre të katërtat e përdoruesve të Oopoeh thanë se shëndeti i tyre fizik dhe kontakti social ishin përmirësuar.
Në vitin 2018, iniciativa kombëtare e vetmisë synonte posaçërisht të ndihmonte të moshuarit si Theo. Megjithatë, shpejt u bë e qartë se çështja ishte shumë më e madhe.
Oma’s Soep, një biznes që vendos gjysmën e fitimeve të tij në financimin e seancave të gatimit duke çiftuar të moshuarit me studentë vullnetarë, kuptoi se studentët po përfitonin po aq sa të moshuarit.
“Ne e filluam projektin për shkak të vetmisë mes të moshuarve, por kuptuam se ka edhe shumë të rinj të vetmuar”, thotë bashkëpronari Martijn Canters.

Kështu në vitin 2022, programi i veprimit ‘Një kundër Vetmisë’ u zgjerua për të përfshirë të gjithë shoqërinë.
“Bizneset na thanë se fokusi te të moshuarit ishte shumë i kufizuar. Vetmia mund t’i ndodhë kujtdo,” thotë Mischa Stubenitsky, zëdhënëse e ministrisë së shëndetësisë.
Tani po zhvillohen projekte kërkimore që shikojnë grupe të tjera me rrezik të lartë, duke përfshirë emigrantët dhe adoleshentët.
Ish-këshilltarja për të rinjtë Jolanda van Gerëe tha se ishte e kënaqur që qeveria e kishte kuptuar se edhe adoleshentët po luftonin me vetminë.
“Unë jetoj vetëm dhe bëja shaka me fqinjin tim lart, duke i thënë “do të të jap një çelës, hyr nëse ka erë të keqe,” thotë Theo, duke shtuar se “tani ndihem se jam sërish pjesë e sistemit.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.