Bota

Tragjedi në Maqedoninë e Veriut / Zjarr në një klub nate, 59 të vdekur dhe 160 të plagosur. Shkak dyshohen fishekzjarrët

Gazeta Si – Të paktën 59 persona, thuajse të gjithë të rinj, kanë humbur jetën në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut, pasi një ra zjarr gjatë një koncerti të një grupi të njohur muzikor.

Sakaq, mësohet se numri i të lënduarve është 160 persona. Sipas informacioneve jozyrtare, zjarri ka rënë rreth orës 03:00 të mëngjesit për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike në koncertin ku morën pjesë rreth 1500 persona.

Raportohet se nga 59 viktimat, 35 janë identifikuar. Prej tyre 31 janë nga Koçani, 4 nga Shtipi, ndërsa 24 persona ende nuk janë identifikuar.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e grupit ADN.

“Në momentin e shpërthimit të fishekzjarrit, lënda duket se ka prekur tavanin, i cili është ndërtuar me material të ndezshëm dhe brenda një kohe të shkurtër është përhapur në gjithë diskotekën dhe është krijuar tym i rëndë. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur zjarrfikësit nga qytetet e afërta, ndërsa helikopterët e Ministrisë së Brendshme janë angazhuar për t’i transportuar të plagosurit në klinikat në Shkup”, ka thënë Toshkovski.

Sipas Drejtoreshës së Spitalit të Koçanit, ky u dogj edhe diskoteka, disa prej viktimave janë të moshës së re, nga 14 deri në 24 vjeç.

Kristina Serafimova tha për mediat se aktualisht aty po trajtohen 20 pacientë me lëndime të lehta, ndërsa ata që janë në gjendje më të rëndë janë dërguar në Shtip dhe në Shkup.

Sipas saj, një numër i madh i viktimave të ngjarjes kanë ndërruar jetë në vendngjarje dhe një pjesë tjetër sapo mbërritën në spital.

Të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike e Koçanit, janë në terren.

Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

Aktualisht autoritetet kanë identifikuar vetëm viktimat që kanë pasur letërnjoftime me vete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë