Lajme

Tragjedi malazeze në Liqenin e Shkodrës

Katër persona janë mbytur në anën malazeze të Liqenit të Shkodrës ditën e dielë. Policia e Malit të Zi konfirmon se tre nga viktimat janë të së njëjtës familje, ndërsa e katërta është një i ri i cili u përpoq t’i shpëtojë.

Tragjedia ka ndodhur pas mesditës së të dielës në një distancë të konsiderueshme nga bregu i liqenit, ku një varkë më 9 persona në bord po i drejtohej Manastirit të Vranjës.

Dyshohet se shkak i mbytjes së tyre ka qenë moti i keq me erë të fortë dhe tejmbushja e varkës. Dallgët e shkaktuara nga era që frynte e kanë përmbysur mjetin lundrues e për pasojë kanë vdekur një çit së bashku me vajzën e tyre dhe një djalë i ri që ndërhyu për t’u ardhur në ndihmë.

Personat e tjerë ja kanë dalë mbanë që të dalin në breg me not, ndërkohë që forca të shumta të policisë malazeze kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Deri më tani “Vijesti” raporton se është gjetur një trup i pajetë dhe po punohet për gjetjen e personave të tjerë. Katër personat që ndodheshin në të njëjtën varkë dhe i mbijetuan tragjedisë u morën në pyetje për të zbardhur gjithë dinamikën e ngjarjes.

Viktimat dhe të mbijetuarit po vizitonin Liqenin e Shkodrës duke përfituar nga rritja e temperaturave këtë fundjavë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë