Njerez

Tragetet drejt Italisë si fantazmat e gjalla të anijeve të eksodit

Nga Gisela Troplini – “Po na trajtojnë si kafshë”, është fjalia e parë që thotë F.D, një 22- vjeçar shqiptar që pret të niset me traget nga Porti i Durrësit për në Itali, aty ku ai është rezident.

Që nga fillim i muajit gusht 2021, ndryshe nga vitet e tjera, situata në portin e Durrësit ka qenë shumë kaotike, pasi tragetet që udhëtojnë drejt Italisë kanë krijuar vonesa, pezullime, anulime dhe mbi të gjitha kushte të pasigurta për udhëtarët.

Autoriteti Portual i Durrësit ka njoftuar herëpashere që nga nisja e sezonit veror dhe “sezonit të emigrantëve”, për vonesat e trageteve, rëndësinë e respektimit të masave anti-Covid si edhe mundësinë për zëvëndësim apo shtesë anijesh duke respektuar dhe të drejtën e pasagjerëve për rimbursim në rast anulimesh.

Sipas dëshmive të emigrantëve për Gazetasi.al , asnjëra nga këto nuk ka ndodhur.

Adela nga Durrësi, nënë e dy fëmijëve, tregon se data e saj e nisjes për në Itali ishte 29 gushti, siç i kishte bërë planet që në muajin korrik, por agjencia turistike e ka njoftuar se ajo duhet të niset më 27 gusht.

“Më thanë se nuk ka vende për 29 gusht edhe pse bileta ishte vendosur që para se të vija në Shqipëri. Nuk pata as mundësi zgjedhjeje, thjesht më caktuan datën 27 dhe përveç rimbursimit që nuk m’u ofrua, më kërkuan 100 euro shtesë”.

F.D, ka që fëmijë që lëviz me traget minimalisht dy herë në vit Itali-Shqipëri, por nuk i kujtohej të kishte parë skena aq çnjerëzore sa këtë vit.

“Dhomat sigurisht janë të zëna por tragetet po mbajnë shumë më shumë nga kapaciteti i lejuar dhe i sigurt. Qindra njerëz të panjohur që shtrihen pranë njëri-tjetrit përgjatë gjithë korridorit. Aty ka bebe”, tregon i riu për Gazetën “Si”.

Ndonëse, vetëm 22 vjeç, ai paralelizon situatën në tragetet e gushtit 2021 me foton e eksodit të gushtit të 1991, kur anija tregtare në Portin e Durrësit u tejmbush me shqiptarë, pothuajse të lirë.

Ai thotë dhe se agjencitë në Shqipëri po abuzojnë dhe po shfrytëzojnë situatën duke rritur  çmimet e biletave dhe njëherë më shumë nga çmimi i zakonshëm edhe pse e dinë që pasagjerët do të rrinë një mbi një në korridoret a shkallët e trageteve.

I.P priste në Portin e Durrësit bashkë me familjen e tij që trageti me të cilin kishte rezervuar udhëtimin të nisej rreth orës 21 ose 22 të mbrëmjes të 25 gushtit, por nisja u bë pas orës 3 e 30 të mëngjesit të ditës tjetër. Shpjegimi i vetëm që i’u dha ishte se po prisnin të qetësoheshin valët e detit, por ai dyshonte se t deti ishte shumë i qetë dhe për më tepër “ata kishin udhëtuar më parë shumë herë edhe me dallgë e stuhi”.

Ai e quan situatën e ndodhur një torturë që po i bëhet të gjithë pasagjerëve dhe nuk ka minimalisht asnjë një ndjesë nga kompania apo kushdo që ka diçka në dorë.

“Kam vite që jetoj në Itali dhe kam zgjedhur tragetin si zgjedhje më të mirë, gjithmonë. Mund të marr makinën time, mund të marr pa problem gjërat që më duhen dhe kushton më pak, se unë kam një familje prej 4 vetësh.”

Por veç mungesës së kushteve minimale njerëzore, higjienike dhe të sigurisë, në tragetet e portit të Durrësit, masat anti-Covid nuk janë të njohura. Tek-tuk sheh ndonjë pasagjer me maskë, që sigurisht nuk ka asnjë efekt në një grumbullim të tillë, por ndoshta nga përgjegjësia apo frika e mban një të tillë.

Emigrantët që janë gati për t’u rikthyer në vendin pritës të tyre, tregojnë për “SI” se në portet italiane ndryshon situata katërcipërisht. “Vonesat janë normale, por jo të presim në makinë më shumë nga se na shkon rruga. Nuk dinë të trajtojnë gratë e fëmijët. As tamponin nuk dinë t’a bëjnë”,-flet i revoltuar një qytetar që po pret tragetin me foshnjën që qan në duar.

Në faqen e Facebook të Autoritetit Portual të Durrësit, dhjetëra komentues dënojnë situatën duke treguar se çfarë po ndodh.

Me ironi një qytetare shkruan se me fluksin dhe rritjen e çmimeve këto ditë duhet të marrësh kredi për të blerë biletën.

APD, njofton se vetëm gjatë të hënës së 23 gushtit nga Shqipëria për në Itali dolën pothuajse 15 mijë qytetarë, me vetëm 3 tragete. Sipas informacioneve publike të kompanive të trageteve që operojnë në linjën Durrës-Bari, kapaciteti i tyre shkon deri 2.000 pasagjerë. Lehtësisht kuptohet që tragetet tejkalojnë numrin e vendosur për pasagjerë me 50% më shumë.

Ndoshta, herë pas here, emigrantët shqiptarë do të përballen me situata për t’i rikujtuar eksodin dhe arsyet se pse ndodhi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë