Dosje

Trafiku i drogës nga Amerika Latine, Europol: Ervis Çela i dënuar për vrasje në Itali

Gazeta Si – Njëri nga drejtuesit e grupit të trafikut të drogës të goditur pak ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme, Ervis Çela, është i dënuar në Itali për një vrasje.

Europol ka njoftuar zyrtarisht goditjen e organizatës kriminale të Franc Çopjas të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës përmes dy episodeve nga Amerika Latine drejt Evropës, që ka qarkulluar miliona euro.

Në datat 7 dhe 8 gusht 2025, një seri kontrollesh në Shqipëri me urdhër të SPAK dhe GJKKO çuan në arrestimin e 10 personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës dhe pastrim parash.

“Operacioni u zhvillua nga autoritetet shqiptare të rendit në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, me mbështetjen e Europol, duke goditur një rrjet kriminal me bazë klanore. Hetimet kanë zbuluar se ky rrjet kishte lidhje me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare me rrezikshmëri të lartë, aktive në mbarë BE-në dhe më gjerë”, njofton Europol.

Sipas EUROPOL, Ervis Çela, ishte përgjegjës për organizimin e dërgesave dhe investimin në sasi të mëdha të kokainës, duke i koordinuar aktivitetet kriminale edhe nga vende të largëta përmes mjeteve të enkriptuara të komunikimit.

Ai ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pas një vendimi për njohjen e një dënimi me 21 vite burg të dhënë nga një gjykatë italiane për vrasje, privim të lirisë, fshehje të kufomës, kërcënime, posedim të paligjshëm të lëndëve plasëse dhe armëve si dhe pengim të drejtësisë.

Europol i referohet dy vëllezërve, Ervis dhe Ardjan Çela, të dënuar me burg në Itali për vrasje. Ata kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana me kartelë “të kuqe”, pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhër-arresti për vrasje dhe rrëmbim personi.

Ervis Çela është i dënuar me 30 vite burg në Itali, nga të cilat i kanë mbetur 25 vite e 10 muaj. Rrjeti kriminal shqiptar, i cili drejtohej nga Franc Çopja, i ekstraduar nga Dubai në Belgjikë në fund të vitit 2023, vepronte në shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera që mundësonin transportet drejt porteve evropiane.

Fitimet e mëdha, të cilat kapnin dhjetëra miliona euro, investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës.

Ekspertët e Europol-it përdorën të dhëna të marra nga platforma e komunikimit e enkriptuar Sky ECC, e cila, megjithëse është çaktivizuar që katër vjet, vazhdon të ofrojë informacione të vlefshme për hetimet.

Analiza e komunikimeve në SKY ECC zbuloi dërgesa të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve kryesore evropiane, ku vetëm një prej ngarkesave i solli organizatës mbi 40 milionë dollarë fitime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë