Gazeta Si – Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, bën me dije se Uashingtoni është i përkushtuar të punojë me autoritetet shqiptare për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, agjencia amerikane kundër narkotikëve (DEA), nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga për të ndarë informacionin me personelin e DEA-s. Nga ana e ambasadës amerikane, thuhet se të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta.
LEXO EDHE:
Ekskluzive – Si ra DEA amerikane në gjurmët e Klement Balilit
“Linja e sinjalizimit të Agjencisë së SHBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”, shkruan ambasada amerikane në Facebook.
Kjo është hera e dytë pas një viti që zyra e DEA-s amerikane në Tiranë kërkon bashkëpunim me qytetarët për parandalimin e trafikut të drogës dhe të pastrimit të parave.
Në shtatorin e vitit 2002, ambasada amerikane në Tiranë njoftoi mbërritjen e një agjenti special në kryeqytet, që do të kishte si mision bashkëpunimin me SPAK në luftën kundër drogës.
Para rreth 6 muajsh, agjenti special Brendan Leddy zhvilloi një takim me ambasadoren e atëhershme Yuri Kim, e cila tha se DEA do të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë e Posaçme dhe homologët shqiptarë për luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar.
Zyra e DEA-s në Shqipëri do të jetë lidhje e zyrës qendrore në Athinë. Pjesëtarë të DEA-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore.
Filiali i DEA-s, ka në fokus luftën ndaj trafikut të drogave, kryesisht kokainën, e cila vjen nga Amerika Latine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.