Ngjarje

Trafiku i 1 kg kokainë, Ded Nimani “shpëton” efektivin e RENEA-s dhe shoferin

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ded Nimanin, i cili ka marrë përsipër trafikun e 1 kg kokainë, duke hequr nga përgjegjësia dy  personat e tjerë, mes tyre dhe efektivin e RENEA-s që u ndaluan më 14 maj në Ndroq.

Për efektivin Xhulio Liçi, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 35 ditor dhe “arrest shtëpie” për Luan Gaçin.

Në dëshminë  e tij, Nimani merr të gjithë përgjegjësinë mbi vete, ndërsa thotë se dy personat e tjerë të arrestuar, Liçi dhe Gaçi, nuk kanë lidhje me të dhe lëndën narkotike.

Sipas tij, Gaçin e ka marrë si shofer për të shkuar dhe për të marrë lëndën narkotike, duke mos i treguar gjë. Më pas, i ka kërkuar që ta presë diku në rrugën e Ndroqit, në mënyrë që ai të mos e merrte vesh për lëndën narkotike.

Nga vendi ku ka marrë drogën dhe deri te vendi ku e priste Gaçi, Nimani thotë se ka shkuar me një makinë të rastit që e ndaloi, që rezulton të ketë qenë efektivi i RENEA-s, por që 62-vjeçari thotë se nuk e njeh dhe se as nuk ia mësoi emrin.

Nimani tregoi se ku e siguroi drogën dhe veprimet që ndoqi më pas derisa e arrestuan.

“Pasi jam interesuar, kam mësuar se në zonën e Plepave në Durrës është një person që shet drogë. Kam marrë si taksi një të njohurin tim që quhet Luan, të cilit nuk i kam treguar arsyen e vërtetë dhe së bashku shkuam deri në Plepa. Nuk desha që ai të dinte se ku e marr drogën dhe as kë takoj, për këtë arsye i kam thënë Luanit nisu dhe më prit rrugës së Ndroqit”, - ka thënë në dëshminë e tij.

Më tej, ai tregon se pasi bleu sasinë e drogës, eci një farë kohe në këmbë dhe pastaj i ka bërë me shenjë një makinë e cila ndaloi. Automjeti në fjalë drejtohej nga efektivi Xhujlo Liçi.

Megjithatë, Nimani thotë se këtë të fundit as që e njihte.

“Kam hipur në këtë makinë, pakon e drogës e vura në bagazh se kisha frikë se bie erë dhe nuk desha që shoferi i makinës të kishte dyshime. Në rrugë kam parë makinën e Luanit të ndaluar dhe i thashë këtij shoferit të rastit të ndalonte aty, se deri në Tiranë do të vija me Luanin”.

Në këtë moment, pasi “shoferi i rastit” doli të hapte bagazhin e t’i jepte pakon “pa e ditur se çfarë ishte”, ndërhyn policia dhe i arreston të tre.

Ded Nimani pranon se gjithçka e ka bërë i vetëm, nisur nga kushtet e vështira ekonomike.

“Gjithë përgjegjësia është imja dhe u kërkoj ndjesë Luanit dhe këtij shoferit që ndaloi të më bënte nder për situatën e krijuar. Kërkoj edhe mëshirën e organit të procedurës, por e kam bërë sa më sipër nisur nga vështirësitë ekonomike dhe shëndetësore të familjes sime”.

Dëshmia e 62-vjeçarit, mbështetet edhe nga deklarata e efektivit të RENEA-s, i cili është shprehur se nuk ka lidhje me drogën, ndërsa thekson se gjatë kthimit nga Fieri për në Tiranë ka marrë një pasagjer rrugës.

“Jam efektiv i policisë dhe po udhëtoja nga Fieri drejt Tiranës. Përgjithësisht rrugës së kthimit marr njerëz. Në zonën e Plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”, - ka thënë Xhulio Liçi, ndërsa sipas policisë ai nuk ka kontakte me dy personat e tjerë të përfshirë.

Nimani, Liçi dhe Gaci u arrestuan nga forcat e policisë anti-drogë më 14 maj me pakon e kokainës në bagazh në aksin rrugor Ndroq-Tiranë.

Ded Nimani rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal, ndërsa kishte më pak se një vit që kishte dalë nga burgu, i dënuar për drogë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë