Policia italiane e Pordenones bën të ditur se ka arrestuar një narkotrafikant shqiptar mbi të cilin rëndonte urdhri i arrestit europian për trafik ndërkombëtar të 120 kg kokainë me vlerë 120 milionë euro. Sipas mediave lokale italiane, ndalimi i 42-vjeçarit me iniciale A.A, lindur në Mirditë, u bë pas një kontrolli rrugor të Policisë së Pordenones në një automjet tip BMË me ngjyrë të zezë me targa italiane.
Shqiptari po udhëtonte me 2 shtetas të tjerë patriotë. Ekzaminimi dokumentave të tyre ka verifikuar se ndaj njërit prej shqiptarëve, më 3 shkurt 2020 ishte nxjerrë urdhër arrest europian nga autoritetet greke pas një megaoperacioni për trafik lëndësh narkotike. Shqiptari i kapur në Pordenone të Italisë akuzohet për trafik kokaine nga Amerika Jugore e Qëndrore drejt Europës. Ai akuzohet se nga shtatori i 2018 deri në janar 2020 ka trafikuar me anije nga Amerika e Jugut dhe ajo Qëndrore 120 kg kokainë me vlerë 120 milionë euro. Shqiptari i arrestuar rezulton të jetë pjesë e një grupi kriminal i strukturuar për trafik ndërkombëtar droge. Ai ishte shpallur në kërkim pas një super operaconi të ndërmarrë më 3 shkurt në Greqi. Trafikanti shqiptar rezulton se prej disa vitesh jeton në Prodenone i punësuar në një fabrikë që merret me përpunimin e hekurit.
Drejtori i Policisë së Pordenones, Marco Odorisio, ka deklaruar se “ky arrestim është një rezultat pozitiv i punës së reparteve policore në terren për arrestimin e personave të shpallur në kërkim e aktivizimin e masave gjyqësore ndaj tyre”.
Arrestimi i 42-vjeçarit shqiptar u bë me qëllim ekstradimi drejt shtetit grek, i cili kishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj tij. Pas përfundimeve të formaliteteve gjyqësore mësohet se i ndaluari do të dërgohet në Greqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




