Drejtësia

Trafikoi 4 tonë kanabis në Itali, Apeli rikthen për rigjykim dosjen për Moisi Habilajn

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka rikthyer për gjykim çështjen ndaj anëtarëve të grupit të Moisi Habilajt, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe grup të strukturuar kriminal.

Këtij grupi, iu kap në tetor të 2017, në Babicë të Vlorës një sasi prej 4 tonë kanabis e fshehur në një vilë dykatëshe.

“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Prishjen e vendimit nr. 39, datë 18.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimin e akteve asaj gjykate për rigjykimin e çështjes me tjetër trup gjykues”, thuhet në vendimin e Apelit.

Habilaj u arrestua në vitin 2017 nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Siçili.

Ai u dënua me 10 vjet burg nga gjykata shqiptare për akuzat e trafikut të drogës dhe grup i strukturuar kriminal, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë të grupit, Nazer Seitaj, Fatmir Minaj dhe Meridian Sulaj u dënuan me nga 9 vjet heqje lirie nga 13 vite që kishte kërkuar SPAK, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

Moisi Habilaj, është në arrati, ndërsa është i dënuar edhe në Itali me 15 vite e 5 muaj burg lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte në Katania me masë sigurie.

Pala italiane ka kërkuar nga autoritet shqiptare të vazhdojë kontrollet, pasi ka dyshime të arsyeshme se Moisi Habilaj është larguar nga Italia për t’u fshehur në Shqipëri.

Aktualisht në Itali ndodhet Nezar Seitaj me masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe për hetuesit në Katania ai konsiderohet si financieri i grupit kriminal. Meridian Sulaj po vuan gjithashtu dënimin në Itali për trafik ndërkombëtar të drogës.

Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane të akuzuar për trafikimin e 4 tonë kanabis në vite nga Shqipëria në Itali, me një vlerë rreth 300 milionë euro.

Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga prokuroria e Katanias, treguan se trafikantet e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit. Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë