Rend dhe Ligj

Trafik ndërkombëtar droge me tonelata kokainë drejt Italisë, rreth 5 mln euro u futën në Shqipëri me autobusë. Të përfshirë dhe 2 policë

Gazeta Si – Një megaoperacion i koduar me emrin “Ura” mes Shqipërisë dhe Italisë, goditi një rrjet të fuqishëm kriminal të trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës, i cili niste nga Ekuadori, vazhdonte në Holandë dhe përfundonte mes Puljias dhe Durrësit.

Sipas njoftimit zyrtar nga SPAK, hetimet kanë dokumentuar dhjetëra episode të trafikut të lëndëve narkotike, me një vlerë fitimi të përllogaritur prej rreth 5 milionë euro.

SPAK po ashtu bën të ditur se procedurat aktualisht ndodhen në fazën e hetimit paraprak dhe autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal dhe korruptiv.

Prokurori Vladimir Mara, gjatë konferencës për mediat me autoritetet italiane, njoftoi se nga hetimet lidhur me operacionin e koduar “Ura” rezultuan të përfshirë edhe dy punonjës policie. Bëhet fjalë për Altin Morinën, i arrestuar në muajin prill në kuadër të operacionit Revanshi, si edhe Orges Molla.

Bëhet me dije se masa e sigurisë Morinës i është komunikuar në ambientet e paraburgimit ku ndodhet. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Ekil Nderjakun në trafikun e lëndëve narkotike. Emri i Nderjakut del gjithashtu në dosjen në fjalë, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie.

Altin Morina

Morina u arrestua në vitin 2023, pasi iu gjetën në sediljen e makinës 113 mijë euro kesh te Kodra e Diellit nga ku aludohej se Morina ka patur lidhje me grupin e Ervis Martinajt. Mirëpo ende nuk dihet cili ka qenë roli i ish policit të RENEA-s në operacionin “Ura”, sidoqofte Prokurori i çështjes e cilësoi si me rëndësi rolin e tij në këtë ngjarje kriminale.

“Njëri prej tyre ka qenë i përfshirë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa punonjësi tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit”, tha prokurori Vladimir Mara.

Në Shqipëri janë sekuestruar restorante, 1 bar-kafe, disa shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë. Ndërsa SPAK dhe Antimafia italiane theksoi se përmes dekriptimit të komunikimeve në platformën “Sky ECC”,, është zbardhur skema e plotë e veprimtarisë kriminale.

Në një konferencë për mediat, për të dhënë detaje lidhur me operacionin ka dalë kreu i SPAK, Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani. Dumani deklaroi se është goditur një prej grupeve kriminale më të fuqishme në vend.

Prokurori i Posaçëm, Vladimir Mara, u shpreh se janë zbuluar 30 episode të trafikimit të lëndëve narkotike në Itali dhe më pas 10 episode të tjera në Shqipëri, në Holandë dhe disa vende të tjera të BE.

“Është dokumentuar i gjithë cikli i lëvizjes së lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Itali dhe drejt vendeve të BE-së”, tha prokurori Mara.

Hetuesit italianë kanë zbuluar edhe të gjitha të ardhurat kriminale të grupit në fjalë. Mara tha se janë evidentuar 30 episode të qarkullimit të parave nga Italia dhe vendet e BE-së drejt Shqipërisë në një vlerë gati 5 milionë euro.

Në total janë dhënë 52 urdhër-arreste për persona në Shqipëri dhe Itali. Aktualisht janë ekzekutuar 40 masa sigurie.

Hetimet

Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve.

Kokaina dhe lëndë të tjera narkotike transportoheshin kryesisht nëpërmjet rrugëve detare, me mbështetjen logjistike të qelizave operative të pranishme në Itali, të përfshira gjithashtu në menaxhimin e të ardhurave të paligjshme përmes aktiviteteve të pastrimit të parave dhe pronësisë fiktive të aseteve.

Masat paraprake, u lëshuan në kuadër të operacionit “URA” pas hetimeve të kryera nga DIA e Barit midis shtatorit 2021 dhe qershorit 2022, që bënë të mundur mbledhjen e provave serioze kundër të dyshuarve, shqiptarë dhe italianë, që i përkasin në Itali dy grupeve kriminale me seli në Puglia dhe një tjetër grupi kriminal në Shqipëri, me seli në Durrës.

Operacioni në Shqipëri është shtrirë në qytetet e Durrësit, Shkodrës, Tiranës, Fierit e Vlorës, ndërsa në Itali në Bari dhe provincat e saj, por edhe në Oria Br, Matera, Frosinone, Torino, Kozenca, Trento, Komo, Kremona dhe Pomezia Rm, si dhe në Belgjikë.

DIA, në lidhje me sasitë e mëdha të heroinës dhe kokainës të lëvizura, duke filluar nga viti 2016, midis Ballkanit, Evropës Veriore, Amerikës së Jugut dhe Pulias, ka dokumentuar ekzistencën e një bashkësie interesash midis grupit kriminal në Shqipëri, përgjegjës – në nivel transnacional – për tregtimin dhe transferimin e drogës, dhe dy shoqatave kriminale që vepronin në Bari, të cilat, nga ana tjetër, kryenin operacionet e “prerjes” dhe paketimit në blloqe, furnizonin me shumicë organizatat në Bari, Brindisi dhe Leçe të interesuara për të marrë heroinë dhe kokainë me cilësi.

Si trafikohej lënda narkotike dhe paratë me autobusë

Lënda narkotike vinte nga Turqia dhe Amerika Latine dhe transportohej në Itali nga shqiptarët. Hetimet komplekse, të kryera me përgjime telefonike, përgjime mjedisore, regjistrime video dhe shërbime vëzhgimi dhe kontrolli, të mbështetura nga analiza e bisedave të koduara të marra nga platforma SKYECC, si dhe nga deklaratat e tre bashkëpunëtorëve të drejtësisë (besueshmëria e të cilëve është vërtetuar), kanë lejuar, ndër të tjera, të dokumentojnë, në lidhje me substancën narkotike të dërguar në Bari kryesisht nga Shqipëria dhe Evropa Veriore, furnizime me 255 kilogramë heroinë dhe kokainë të pastër) të kryera nëpërmjet korrierëve ndërkombëtarë.

Në të njëjtin kontekst, u rindërtua një “rrjedhë” e pandërprerë parash nga Puglia në Shqipëri, për të paguar drogën e shitur “me shumicë”, e cila zhvillohej nëpërmjet shoferëve të autobusëve ndërkombëtarë, transaksionet e paligjshme të të cilëve kapën shifrën prej 4.5 milionë eurosh.

U zbuluan disa dërgesa parash për të paguar drogën, të cilat u kryen në Bari, për shuma që tejkalonin gjysmë milioni euro.

Po ashtu u provua transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria në Amerikën Latine , të paguara si paradhënie për blerjen e një dërgese prej 500 kilogramësh kokainë të nisur nga Guayaquil i Ekuadorit.

Provat e përdorura për të demonstruar funksionimin e tre shoqatave kriminale transnacionale kishin të bënin me një sekuestrim të mëparshëm prej 3 milionë eurosh në para cash në Durrës, si dhe sekuestrimin e drogës, kryer në rrethana të ndryshme: të mbi 30 kilogramëve heroinë dhe disa laboratorëve artizanalë të përdorur në Bari dhe në provincë, për prerjen dhe paketimin e drogës në blloqe.

Një ngarkesë me 2 tonë kokainë në portin e Roterdamit Holandë, si dhe 932 kilogramë kokainë në portin e Gioia Tauro, në Reggio Calabria. Po ashtu një ngarkesë pprej 400 kilogramësh kanabis në Noicattaro Bari.

Një risi e këtij hetimi përfaqësohet nga përdorimi, midis burimeve të provave, i bisedave të koduara nga platforma SKYECC, të fituara me urdhra hetimi evropian në Gjykatën e Parisit.

Mesazhet, pasi u deshifruan nga hetuesit e DIA-s së Barit dhe u ndanë me oficerët e SPAK-ut të Tiranës, u analizuan me kujdes dhe u kryqëzuan me rezultate të tjera hetimore.

Masat e arrestit

Masat e arrestit nga GJKKO janë lëshuar për udhëheqësin e një klani në qytetin e Durrësit, një komandant dhe një agjent të policisë shqiptare, një avokat dhe 6 shoferë autobusësh ndërkombëtarë.

Masat paraprake mbi asetet në Itali kanë të bëjnë me sekuestrimin e 9 apartamenteve, 4 kompani, 7 llogari rrjedhëse dhe 3 makina.

Ndërkohë në Shqipëri janë sekuestruar prona të ndryshme, 1 televizion në Vlorë, 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci pasurish të paluajtshme, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet në disa milionë euro.

Në këtë kontekst, pas operacioneve të mëparshme “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”, midis viteve 2018 dhe 2021, DIA e Barit ka ekzekutuar tashmë një total prej 118 masash paraprake, sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për disa milion euro dhe zbulimin e mbi gjashtë tonëve drogë, përfshirë marihuanë, kokainë dhe hashash, duke lejuar, në nivele të ndryshme gjykimi, të shqiptohen dënime deri në 20 vjet burgim për secilin të pandehur.

Masat paraprake dhënë sot për 12 italianë dhe 40 shqiptarë:

Masa arresti me burg – 49 persona

Masa arrest shtëpiak – 1 person

Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore – 2 persona

Të dyshuarit në Shqipëri

Urdhër-arrest u lëshua për Ervis Doçin në Durrës, i njohur si “Visi i Pojës”, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK në maj të vitit të kaluar.

Gjithashtu, masë sigurie është caktuar edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës, i cili më herët ka përfaqësuar si mbrojtës ligjor edhe vrasësin me pagesë Nuredin Dumani dhe një ish-punonjës policie.

Edhe për Ligor Çombashin, pronarin e kompanisë “Ligori Travel” është lëshuar urdhër-arrest. Masa arresti janë lëshuar edhe për shtetasit Orgest Molla dhe Hasan Nderjaku. Po ashtu mësohet se dy prej personave të ndaluar janë nga Vlora. 

Ervis Doçi, apo i njohur me nofkën “Visi i Pojës” është një personazh me “emër” për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë në banesën e këtij shtetasi u zhvilluan kontrolle ndërkohë që SPAK lëshoi dhe një urdhër-arrest. Në kuadër të këtij operacioni asokohe blutë sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit.

Më 14 prill gjatë një tubimi elektoral në Durrës, kryedemokrati Sali Berisha përmendi emrin e Doçit, duke bërë thirrje që ai të mos blejë vota për llogari të mazhorancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë