Rend dhe Ligj

Trafik kokaine nga Amerika Latine, Italia ekstradon nga Spanja një nga krerët e grupit kriminal shqiptar

Gazeta Si – Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, një anëtar i grupit kriminal të Suel Çelës, u ekstradua nga Spanja në Itali.

Pashja, 47 vjeç nga Elbasani, së bashku me vëllain e tij Shkëlqim Pashja, i arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Icaro”, është një nga drejtuesit e organizatës kriminale që merrej me trafik droge nga vendet e Amerikës Latine në Europë.

47-vjeçari u arrestua 21 janarin e kaluar në Madrid, ku ishte në pritje të nisjes për në Kolumbi dhe tani është në një burg në Cremona të Italisë prej dy ditësh.

Informacioni i siguruar nga policia shqiptare mundësoi arrestimin në Spanjë të pjesëtarit të grupit me precedent penal.

“Më tej, si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë, u vu në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, G. P. alias A. P., 48 vjeç”, – njoftoi policia.

Sipas hetuesve, ai është një nga drejtuesit e grupit të Brescias të klanit shqiptar të ashtuquajtur “Çela”. Në Spanjë, Gerardo Pashja ishte identifikuar falë bashkëpunimit policor, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë, Ekspertit të Sigurisë në Madrid dhe Policisë spanjolle.

Hetimet – të kryera dhe të koordinuara nga Drejtoria e Anti-Mafia e Prokurorisë së Brescias dhe nga SPAK në Shqipëri – përfshinë gjithsej 40 të dyshuar dhe ka sjellë ekzekutimin e 20 masave paraprake sigurie.

Në qendër të veprimtarisë kriminale të grupit, sipas asaj që u zbulua gjatë hetimeve komplekse (që nisën në vitin 2020), ishte trafikimi i paligjshëm i sasive të mëdha të kokainës që vinte nga Amerika e Jugut dhe me destinacion trafikun, veçanërisht në zonën e Breshias, por edhe në qytete të tjera të Italisë veriore.

Grupi duket se është pjesë e një prej klaneve kryesore kriminale shqiptare, me qendër në qytetin e Elbasanit dhe me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në veçanti Dubai.

Sipas hetimeve, vëllezërit Pashja, drejtonin për llogari të klanit “Çela” operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë