Tre shqiptarë janë dënuar në total me 19.6 vite burg në Britaninë e Madhe me akuzën e mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Mediat britanike shkruajnë se për tre të rinjtë, janë dhënë nga 6.6 vite burg për secilin.
Tre shqiptarët, Florenc Kola 28 vjeç, Shpati Hakili 30 vjeç dhe Nasied Mitro 24 vjeç, u ndaluan në muajin gusht të vitit të shkuar me kokainë të pastër, e cila kishte si target grup persona që paguanin shifra të larta për mallin që do porosisnin.

Të arrestuarve, të cilët u dënuan nga një gjykatë në Maidstone, iu sekuestruan një sasi parash dhe disa telefona celularë.
Dy prej të dënuarve rezultonin me qëndrim të parregullt në tokën angleze dhe pas kryerjes së dënimit ata do të dëbohen drejt Shqipërisë si persona të “padëshirueshëm”.

Një nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe luftës kundër trafikut të lëndeve narkotike mes tjerash u shpreh: “Ne e dimë se çdo grup i krimit të organizuar mbështetet tek paraja.
Ndërprerja e aktivitetit të tyre dhe konfiskimi i parave është i rëndësishëm për stopimin e biznesit të tyre. Kjo i ndalon ata të investojnë në aktivitete të tjera kriminale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




