Gazeta Si – Një operacion policor i koduar “Jug & Veri”, i zhvilluar pas disa javësh hetime në Elbasan, ka çuar në goditjen e një grupi të dyshuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe armëve në disa qytete të vendit.
Në flagrancë u arrestuan tre persona: Arben Guçe, 31 vjeç; Elion Qeva, 29 vjeç; dhe Fran Pjetra, 35 vjeç. Ndërsa në vijim të hetimeve u ndalua edhe një tjetër shtetas, Mark Muraca, 31 vjeç nga Shkodra, i dyshuar se kishte vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e drogës.
Sipas policisë, grupi siguronte dhe transportonte sasi të konsiderueshme kanabisi me qëllim shpërndarjen në qytete të ndryshme të vendit dhe trafikimin jashtë territorit shqiptar.
Gjatë ndërhyrjes në unazën e Elbasanit, drejtuesi i një prej automjeteve ka kundërshtuar efektivët dhe në tentativë për t’u larguar ka dëmtuar mjetin e shërbimit të policisë.
Nga kontrollet u sekuestruan 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, një armë zjarri kallashnikov me 32 fishekë, dy automjete dhe dy celularë. Droga u gjet në një automjet tip “Volkswagen Golf”, që dyshohet se transportohej nga Shkodra drejt Elbasanit me destinacion final Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


