Gazeta Si – Ka rinisur në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Moisi Habilajt, i cili vijon të jetë në arrati dhe tre të pandehurve tjerë, Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe grup të strukturuar kriminal.
Në prill 2023, Apeli i Posaçëm e ktheu çështjen për rigjykim, por me tjetër trupë gjykuese. Apeli i Posaçëm ka konstatuar shkelje procedurale gjatë fazës së gjykimit në mungesë.
Moisi Habilaj u dënua në atë kohë me 10 vite burg për trafik dhe kultivim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe me nga 9 vite Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj. Ata u gjykuan me proces të shkurtuar.
Moisi Habilaj rezulton i dënuar edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg. Ai ndodhet në arrati prej disa vitesh, pasi theu masën e “arrestit në shtëpi” në Katania më banesën e një familjari të tij.
Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane të akuzuar për trafikimin e 4 tonë kanabis në vite nga Shqipëria në Itali, me një vlerë rreth 300 milionë euro.
Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga prokuroria e Katanias, treguan se trafikantet e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit. Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.
Vendimi i Shkallës së Parë që u prish nga Apeli
Moisi Habilaj – 15 vjet burgim -10 për shkak të gjykimit të shkurtuar
Nezar Sieti – 13 vjet burgim – 9 për shkak të gjykimit të shkurtuar
Meridian Sulaj – 13 vjet burgim – 9 për shkak të gjykimit të shkurtuar
Fatmir Minaj – 13 vjet burgim – 9 për shkak të gjykimit të shkurtuar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.