Drejtësia

Trafik droge nga Lindja e Mesme drejt vendeve të BE, shkon në gjyq dosja ndaj 21 trafikantëve. Mes tyre dhe një ish-polic

Gazeta Si – SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen për 21 persona që trafikonin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme nga Turqia e Siria drejt Italisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

SPAK sqaron se në përfundim të hetimeve paraprake janë akuzuar të pandehurit Endrit Bakiu, Sulo Pajo, Artur Sulaj, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Sonila Sula, Kudret Rustemaj, Besnik Ruçi, Pirro Capi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Tomi Hila, Leonard Nergjoni, Artin Kurti, Astrit Miska, Ervis Cilo, për veprat  penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Sipas organit të akuzës, gjatë hetimeve janë sekuestruar në 8 episode lëndë narkotike të llojit “Kokainë”, “Heroinë”, “Marijuanë”, “Risinë”, “Canabis Sativa”, me një vlerë të përafërt rreth 2.700.000 euro, si dhe automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular dhe vlera monetare.

Gjatë hetimit po ashtu është dokumentuar edhe një rast korruptiv i një punonjësi të Policisë së Shtetit, i cili kundrejt përfitimit të parregullt ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

“I pandehuri Mirash Gjoni, ish punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, është akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, ndërsa i pandehuri Besnik Ruçi, krahas veprave penale të mësipërme është akuzuar dhe për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, – thuhet në njoftimin e SPAK.

Në qershor të këtij viti, SPAK njoftoi se në bshkëpunim me autoritetet italiane, në operacionin antidrogë të koduar “Nga bregu në breg”, ka çuar në pranga 20 shtetas shqiptarë, mes tyre edhe një punonjës i policisë në Shkodër, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas dosjes hetimore prej 105 faqesh, përfshihen dhjetëra biseda të transkriptuara mes anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu mësohet se janë zbardhur dhe dokumentuar një sërë episodesh të trafikimit të lëndëve narkotike, si ndaheshin rolet mes anëtarëve të grupit etj.

Kryesori i grupi është Endrit Bakiu, ndërsa pjesa e tjetër kanë pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike. Mësohet se bëhet fjalë për kanabis sativa në formën e çokollatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë