Katër persona janë arrestuar sot në kryeqytet, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar në trafikimin e lëndëve narkotike. Grupi i dyshuar, sipas policisë e kishte bazën në Tiranë, dhe trafikonte drogë drejt Gjermanisë.
Mes të arrestuarve është edhe personi që cilësohet nga policia si “koka” e grupit, Leonard Duka, si edhe të dyshuarit e tjerë, Elvis Gaçaj, Oltion Loga dhe Dritan Agaj.
Urdhër-arrestet janë firmosur nga Prokuroria për Krime të Rënda, ndërkohë që janë kryer një sërë kontrollesh në disa banesa në kryeqytet.
Armë dhe makina të blinduara janë sekuestruar gjatë kontrolleve në këtë operacion. Të dyshuarit janë arrestuar te një apartament i marrë me qira, afër gjimnazit “Partizani” në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundraligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
– Një mjet të blinduar;
– Një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë;
– 46 fishekë luftarak, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.
Një nga të arrestuarit, Elvis Gaçaj, ka qenë objektiv i një atentati në lulishten ‘1 Maji’ me 1 tetor të 2015 ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos vetë Gaçaj.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me burg për jetë Sael Sulaj dhe 30 vjet Vasil Çavon si autorë të vrasjes së Kevin Rugovës dhe Aurora Oskias si dhe plagosjes së Elvis Gaçajt.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




