Drejtësia

Trafik droge dhe pastrim parash, Jurgen Kaçurri dhe Arjanit Maloku drejt ekstradimit në Itali

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit caktoi arrestim të përkohshëm për Arjanit Malokun dhe Jurgen Kaçurrin, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Maloku dhe Kaçurri u arrestuan dy ditë më parë në Manzë të Durrësit në një operacion të SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Eurojust.

Për këtë grup kriminal, disa ditë më parë, drejtësia italiane, në bashkëpunim dhe me SPAK, firmosi 61 urdhër-arreste, nga të cilët 12 ishin shqiptarë.

Sipas SPAK organizata ishte e përfshirë edhe në pastrimin e parave, nëpërmjet një rrjeti të gjerë kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila kishte lëshuar fatura false me një vlerë prej rreth 375 milionë euro.

Sipas mediave italiane, grupi kriminal kishte selinë në Shqipëri, me degë organike në të gjithë territorin kombëtar.

Grupi e merrte drogën nga Amerika e Jugut në Evropë duke përdorur rrugët e transportit tregtar dhe më pas e çonte në Itali me kamionë, duke kaluar ngë Spanja ose Holanda.

Sasitë e mëdha të kokainës ruheshin në 5 baza logjistike me bazë në Brescia, Romano di Lombardia, Palazzolo sull’Oglio dhe në komuna të tjera në Italinë veriore dhe qendrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë