Drejtësia

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, shkon në gjyq dosja ndaj 8 të pandehurve

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 8 persona të përfshirë në një skemë të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se hetimi zbuloi një aktivitet të mirëorganizuar kriminal, ku pjesëtarët e grupit siguronin armë luftarake në Kosovë dhe synonin t’i futnin ato në Shqipëri për t’i shitur apo shpërndarë në tregun e paligjshëm.

Grupi kriminal u godit në një operacion të përbashkët nga forcat e policisë së dy vendeve në 12 dhjetor 2024.

Tre nga të pandehurit nga Kosova, E.Th., B.K., dhe M.K., u shpallën fajtorë me kërkesë të Prokurorisë.

Sipas njoftimit, ata janë dënuar për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”: B.K., 8 vite burg; M.K., 6 vite e 8 muaj burg dhe E.Th., 7 vite burg

Prokuroria sqaron se dënimet u dhanë pasi hetimet provuan përfshirjen e tyre direkte në blerjen e një sasie të madhe pistoletash të tipit “Zoraki”, të cilat do të transportoheshin drejt Shqipërisë.

“Veprimet hetimore, të shoqëruara edhe me përgjime ambientale dhe me blerjen e simuluar, vërtetuan se këta shtetas kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzohen”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për pesë të pandehurit e tjerë T.Sh., G.Ll., E.M. dhe A.M. çështja është dërguar në gjyq për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ndërsa V.O., do të gjykohet për veprën “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas sinjalizimeve se, B.K., dhe M.K., kishin kryer blerjen e një sasie të konsiderueshme armësh të tipit “Zoraki”, të cilat do të përdoreshin për trafik drejt Shqipërisë.

Kjo çoi në ngritjen e një skuadre të përbashkët hetimore mes Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust.

Gjatë operacionit të zhvilluar paralelisht në të dy vendet, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione, duke i dhënë goditje një rrjeti të gjerë të trafikimit të armëve në rajon.

Prokuroria thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe provat e mbledhura, përfshirë përgjime, ndjekje operative dhe blerje të simuluara, kanë qenë kyç për dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm.

Dyshimet e organit të akuzës janë se armatimi i sekuestruar mund të ishte përdorur për ngjarje kriminale në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë