Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 2 të pandehurve Astrit Vladi dhe Erida Lazimi, të cilët akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm tek një gjyqtar për dosjen “Toyota Auris” në favor të Alfred, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri.
Këta të fundit akuzohen për mosdeklarim të të hollave në kufi nën dyshimin se kishin futur në Shqipëri një makinë tip “Toyota Auris” brenda së cilës u gjetën 3.4 milionë euro të padeklaruara të ardhura nga Belgjika në Portin e Durrësit.
Sipas SPAK, hetimet kanë provuar se më 14 shtator të vitit 2020 kur është zhvilluar seanca paraprake ndaj të arrestuarve, Astrit Vladi i ka kërkuar avokates Erida Lazimi të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar, Alfred Vladin dhe 2 të tjerët.
Lazimi i ka premtuar dhe siguruar Astrit Vladit se e kishte aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek gjyqtari i seancës paraprake kundrejt ryshfetit me qëllim për të favorizuar personat që ishin në gjyq.
Të dy akuzohen për veprën penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për dosjen “Toyota Auris” janë dënuar më herët edhe ish kreu i prokurorisë së Vlorës Aurela Zarka dhe avokati Radovan Çela.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Aurel Zarka ka përdorur aplikacionin “Sky Ecc” që mundësonte komunikime të fshehta, ku është provuar se ka kërkuar vlera monetare për të ndërhyrë në dosjen “Toyota Auris” në bashkëpunim me Radovan Çelën, avokatin e Elvis Vladit, njërit prej të dënuarve për këtë çështje.
SPAK dyshon se këta persona kanë ndërhyrë dhe janë korruptuar në zbutjen e rrethanave penale për personat e arrestuar për futjen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në disa makina “Toyota Auris” në vitin 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



