Nga Sorgena Leka – Marjeta është një 30-vjeçare me probleme në dëgjim. Prej kohësh ajo tashmë mban në vesh një aparat dëgjimi, i cili që në fillim ka qenë një sfidë e vërtetë për të. “Në fillim e pranova që kisha një problem dhe se aparati ishte zgjidhja e vetme. Dita që e vendosa dhe gjithë ditët në vazhdim ishin një luftë me veten, familjen, punën dhe gjithë njerëzit që për shkak të punës isha e detyruar të komunikoja”, tregon Marjeta për Gazetën “Si”.
Punon në sektorin privat dhe puna e saj konsiston në biseda me njerëzit dhe komunikim të vazhdueshëm. Kjo ishte puna ideale për të, një njeri social dhe që në fakt ëndërronte të bëhej gazetare. Për shkak të një dëmtimi në veshin e mesëm, ajo u detyrua të vendosë aparat dëgjimi, në shtator të 2019. Por nëse “në fillim kishte luftë me pranimin e gjithë ndryshimeve që ndodhën në jetën e saj, tani në pandemi, e kupton që me mbajtjen e maskës, po jeton luftën e vërtetë”.
Specialistë të shëndetit kudo në botë po vënë re gjithnjë e më shumë një bjerrje të dëgjimit edhe te ata persona që më parë nuk kanë pasur kurrë probleme me veshët. Gjithçka në këtë pandemi duket se është ndërlikuar nga mbajtja e maskave në fytyrë. Që kur popullatat nisën të mbanin maska, ka pasur gjithnjë e më shumë raportime për më shumë vështirësi në të kuptuarit e fjalimit të të tjerëve. Shpesh kemi pasur nevojë të kërkojmë nga të tjerët që të përsërisin atë që thonë, veçanërisht nëse edhe ata mbajnë maskë fytyre. Gjithashtu, nëse papritur kemi nevojë për të rritur volumin në TV apo radio, mund të kemi humbje të dëgjimit. Ekspertë të shëndetësisë shprehen se të folurit me njerëzit që mbajnë maskë e ka theksuar këtë për shumë njerëz që nuk e kishin kuptuar më parë se kishin humbje të dëgjimit. Kjo sepse mbajtja e një maske në fytyrë mund të ndikojë në vëllimin dhe qartësinë e fjalës. Për më tepër, nuk mund të mbështetemi më në leximin e buzëve ose në shprehjet e fytyrës për të na ndihmuar të kuptojmë se çfarë thuhet…
Marjeta tregon jo pa dhimbje se muajt e parë kishte probleme pasi nuk ambientohej dot me idenë e të pasurit një aparat, ishte gjithë kohës në ankth mos dëmtonte aparatin, mos harronte ta hiqte kur flinte, lahej apo pasi i bënte orët që duhej ta mbante (8 orë). Por tani vendosja e maskës e ka kufizuar deri në limite. E ka të pamundur të dëgjojë kolegët që, me të drejtë, flasin me zë normal. Problemin më të madh e ka dhe në komunikimin me njerëzit.
“Është stres të nisësh ditën me mendimin se do të kem probleme me bisedat. Më parë e kisha pak më të thjeshtë sepse lexoja buzët dhe mund të përgjigjesha pa qenë nevoja të pyes përsëri për të njëjtën gjë”, thotë Marjeta.
Me maskën e ka të pamundur të lexojë buzët dhe aparati e ndihmon të dëgjojë tingujt e lartë e të qartë por jo ato tinguj që vijnë të paqartë për shkak të maskës.
Ajo tregon se e mundon veten shumë në mënyrë që t’i dëgjojë njerëzit kur i sheh në sy, por ndonjëherë është e pamundur t’i kuptojë vetëm me anë të syve dhe detyrohet t’i pyesë përsëri se çfarë thanë, ndoshta dhe dy herë dhe kjo nuk shihet si diçka normale për njerëzit që nuk e dinë problemin e saj.
Për shkak të pozicionit të punës, Marjeta e ka të vështirë të tregojë problemin e saj. Janë të paktë njerëzit që e dinë dhe për të anashkaluar edhe paragjykimet, ajo “i lëshon gjithmonë flokët në mënyrë që të mos i shihet aparati i dëgjimit, pasi e di se njerëzit do ta shohin si “vajza që nuk dëgjon”.
Madje ajo tregon se këto kohë ka pasur nevojën e psikologes pasi gjithë stresi, ankthi dhe mungesa e komunikimit normal që kishte ndërtuar para pandemisë, i ka ndikuar në shëndetin mendor. “Sa herë që më duhet të pyes një person më shumë se një herë “çfarë thatë se nuk ju dëgjova”, mendoj të heq dorë pasi nuk mundem”, thotë Marjeta.
Ajo tregon se kolegu i saj, një djalë i ri, mundohet shumë herë të bëjë shaka dhe ironi. Ajo kur nuk e ka mendjen, nuk e dëgjon mirë se çfarë thotë ai dhe “detyrohet” të qeshë, në mënyrë që mos të kuptohet se nuk e dëgjoi.
“Raste të tilla më bëjnë të ndjehem keq dhe inferiore pasi shumë herë jam e sigurt se ai mund të ketë thënë diçka që duhet t’i kthej përgjigje. Por nëse nuk e kam mendjen, nuk e dëgjoj dhe më mirë qesh dhe e anashkaloj sesa ta pyes “çfarë the?”, tregon Marjeta, e cila duket se i është dorëzuar tashmë faktit se deri kur të hiqen maskat, i ka mbetur vetëm të përkujdeset për shëndetin e saj mendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje