Art dhe Kulture

Toni Morrison: Ne vdesim! Ndoshta ky është kuptimi i jetës

Toni Morrison, e cila u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare, ishte e vetmja shkrimtare afrikano-amerikane dhe një nga të paktat gra laureate  të Nobelit të Letërsisë. Motivacioni  i çmimit më 1993-shin e citonte atë si një shkrimtare e cila, “në romane karakterizohej nga forca vizionare dhe importi poetik, i jep jetë një aspekti thelbësor të realitetit amerikan”. Në fjalimin e saj, Morrison theksoi rëndësinë e gjuhës “pjesërisht si një sistem, pjesërisht si gjë e gjallë mbi të cilën njeriu ka kontroll, por më së shumti si një agjenci – si një akt me pasoja”.  

Ajo shprehu kredon dhe tregoi shqetësimet bazë të trillit të saj, me fabulën mu në zemër të fjalimit, ku imagjinoi të rinj që i rrëfejnë një të moshuare të zezë: “Narrativa është rrënjësore, na krijon në po atë çast që krijohet... për të mirën tonë dhe tënden harroje  emrin tënd rrugëve; na rrëfe atë çka bota ka qenë për ty në vende të errëta dhe në dritë.. Na rrëfe se çfarë do të thotë të jesh grua, kështu mund të dimë se çfarë do të thotë të jesh burrë . Çfarë lëviz në margjina. Ç’do të thotë të mos kesh shtëpi në këtë vend. Të lihesh mënjanë nga njeriu që njihje.  Ç’do  të thotë të jetosh në skajet e qyteteve që nuk e durojnë dot praninë tënde.”

Kur nisi të prodhojë letërsi artistike, ajo redaktonte shkrimtarë të tjerë për botuesit e “Random House” në Nju Jork dhe nisi të ndiejë mungesën e romaneve, të cilët u flisnin lexuesve si ajo. Duke nisur me “Më i kaltri sy” (1969), romanet e saj portretizojnë psiken dhe jetët sociale të grave afrikano-amerikane, si edhe burrave, duke mbuluar traumën e skllavërisë dhe ekonominë e saj, si edhe pasojat psikologjike gjatë dhe pas shekullit 19.

Romani i dytë, “Sula” (1973), siguron një kontrast lakonik dhe të gjallë mes dy grave të zeza, njëra rebele dhe tjetra konformiste, historitë dhe vështirësitë e të cilave për të ardhur në termat me njëra-tjetrën dhe komunitetin e tyre , vendosin modelin për letërsinë e saj të mëvonë. “Kënga e Solomonit” (1977) është historikisht dhe gjeografikisht më e gjerë dhe pazakonshëm në veprën e Morrison-it, ka një personazh mashkull të zi, Milkman Dead, si protagonist. Këtu, elementet e realizmit magjik sugjeruar tek “Sula” janë më të zhvilluara dhe Morrison skicon mitin afrikano-amerikan të skllaveve që arratisen duke fluturuar,  si një imazh i zbulimit që Milkman u bën  rrënjëve të rij në traditën jugore të afrikano-amerikanëve. Për këtë roman Morrison fitoi çmimin e Rrethit Kombëtar të Kritikëve të Librit.

Morrison më 1979

Shumë lexues dhe kritikë në të dy anët e Atlantikut konsiderojnë si arritjen më të madhe “Shumë i dashur” (1987), romani i parë në një trilogji që kronikon qytezën e zezë amerikane dhe komunitetet urbane,  në 150 vitet e shkuar. Bazohet në një incident faktik që zbuloi ndërsa përgatiste një koleksion historik, “Libri i Zi” (1974) dhe eksploron impaktin e tmerrshëm të skllavërisë, brutalitetin e tij dhe dehumanizimin, tek një nënë e re që vret fëmijën e saj për të parandaluar ta  ripronësojë i njëjti pronar skllevërish, nga i cili ishte arratisur.

Mamaja dhe ata që jetojnë me të përndiqen nga memoria e fëmijës së vdekur dhe romani është një përfaqësim më i përgjithshëm i historisë së tmerrshme që vijon t’i përndjekë afrikano-amerikanët.  Një histori që duhet ballafaquar në të gjithë angështinë e tij përpara se të zinjtë të mësojnë të duan veten dhe tjetrin.

Kolumnistja e New York Times, Michiko Kakutani, shkroi se “Shumë i dashur” “zotëron fuqi të  lartë dhe rezonimin e mitit – personazhet e tij, si ato të një opere apo tragjedie greke, duken më të mëdhenj se jeta dhe veprimet e tyre, gjithashtu, e  përpiqen të na godasin si dekrete të ritualeve dhe pasioneve të lashta. Të përshkruash  “Shumë i dashur” vetëm në këto terma, sidoqoftë, është të mpakësh menjëhershmërinë e tij, pasi romani gjithaq qëndron saktësisht me themele në realitetin amerikan – realiteti i historisë së zezë siç është përjetuar gjatë luftës civile.”

“Ne vdesim. Ky mund të jetë kuptimi i jetës. Por ne bëjmë gjuhë. Kjo mund të jetë masa e jetëve tona.” - Toni Morrison

“Shumë i dashur” u vlerësua me çmim “Pulitzer” për Fiction më 1988-n, megjithëse jo përpara sesa një letër e firmosur nga më shumë se 40 shkrimtarë dhe studiues të rëndësishëm të zinj të Amerikës, të cilët  qortuan mungesën e vlerësimit për këtë roman të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, kritiku i New Republic, Stanley Crouch,  mendonte se libri ishte shkruar me shumë stërhollime dhe hera-herës bëhej i rëndomtë dhe sentimental. Crouch ishte mes kritikëve të zinj që e hodhën poshtë çmimin Nobel,  si një shenjë e lidhjeve të saj me traditën letrare europiane më shumë sesa atë afrikano-amerikane. Morrison e fitoi pas botimit të “Jazz”(1992), një roman i vendosur në Harlemin e 1920-s, rreth një trekëndëshi dashurie në të cilin bashkëshorti vret dashnoren e tij adoleshente, që angazhon një strukturë narrative të afërt me xhazin, me një deklaratë hyrëse të një teme dhe një serie përpunimesh. “Parajsa” (1998) rikthehet në qytezën në provincën e Ohios, ku ishte vendosur “Shumë i Dashur”. Ashtu si dy romanet pararendëse, zhvillohet nga nja akt katastrofik i dhunës, në këtë rast një sulm vrasës mbi një komunitet grash.

Pesë vjet më vonë, boton “Dashuri” (2003), një sagë familjeje që ka disa ngjashmëri me “Kënga e Solomonit”,  në të cilin end historinë e një patriarku të zi,  pasanikut dhe sipërmarrësit, Bill Cosey, pronari i hotelit-resort “Cosey”, pasuritë e të cilit shtrihen  në nevojën e një resorti pushimesh për të zinjtë,  në Amerikën e segreguar. Personazhi i tij bëhet fokusi i disa gjeneratash të grave të përmalluara për baba, bashkëshort, dashnor, rojtar dhe mik. Disa kritikë kanë vërejtur ngjashmërinë ngacmuese mes emrit të protagonistit me atë të milionerit afrikano-amerikan,  Bill Cosby. Ashtu si edhe tek Kënga e Solomonit, ky roman regjistron ndryshimet historike dhe kulturore që prekën  afrikano-amerikanët nga vitet 1930  deri në vitet ‘80, përpara,  gjatë dhe pas lëvizjes së të drejtave civile.

Romani i saj i nëntë , “Një Mëshirë” (2008), është i vendosur më 1682-shin , në vitet e hershme të Virxhinias koloniale, kur anglezët, holandezët, afrikanët, portugezët dhe indigjenët garonin për të mbijetuar dhe sunduar. Romani i saj pasues, “Shtëpi” (2012), ecën përpara në shekullin 20, duke portretizuar jetën e një veterani të luftës së Koresë, në Amerikën e segreguar të viteve ’50 dhe përpjekjen e tij për të shpëtuar të motrën nga eksperimentet mjekësore,  të kryera  nga një mjek i bardhë. Ia dedikon të birit, Slade, i cili vdiq më 2010-n  në moshën 45 vjeçare, me të cilin kishte shkruar disa libra për fëmijë. “Zoti e ndihtë fëmijën” (2015) e kthen tek tema e romanit të saj të parë dhe gjurmon jetën e një gruaje të re në industrinë e modës,  e torturuar nga kujtimet e mospëlqimit që nëna e saj kishte  për lëkurën e errët.

Morrison merr Nobel për Letërsinë nga mbreti Karl XVI Gustaf, 1993. 

Në një intervistë të regjistruar menjëherë pas botimit të “Dashuri”, Morrison do të fliste  për shqetësimin e saj të ngahershëm si shkrimtare për t’u larguar nga nocioni i të shkruarit të afrikano-amerikanëve  si sociologji, ndikuar nga vetëdija e saj e lexuesit të bardhë dhe shqetësohet rreth takimit  mes të zinjve dhe të bardhëve. Në një intervistë të vitit 1998 ajo thoshte: “Narrativa e zezë është kuptuar gjithnjë si një ballafaqim me disa njerëz të bardhë... Ata nuk janë aq interesant për mua. ajo ç’ka është interesante për mua është çfarë ndodh brenda komunitetit. Dhe brenda komunitetit nuk ka lojtarë kryesorë,  të bardhë. Dikur mendoja: “Si do të ishte jeta sikur ata të mos ishin aty? Cila është mënyra që e jetuam, si e jetuam?”.

Morrison kërkonte të ndryshonte jo vetëm përmbajtjen dhe audiencën për letërsinë e saj; dëshira e saj ishte të krijonte histori “që mund të zgjasnin dhe shijoheshin, jo të konsumoheshin si ushqim i shpejtë” dhe në të njëjtën kohë të sigurohej se këto histori dhe personazhet e tyre të kishin një bazë të fortë historike dhe kulturore. Ajo e krahasonte të shkruarit me muzikën, gëzimi dhe domethënia e së cilës mund të ndryshojë në një dëgjim një sekondësh dhe që ka një stil, strukturë dhe ton dhe është specifikisht afrikano-amerikane.

Oprah Winfrey në filmin "Beloved", ekranizim i romanit të Morrison

E lindur si Chloe Ardelia Wofford në Lorain, Ohio, ajo ishte e dyta e katër fëmijëve të dy prindërve të klasës punëtore, George Wofford, saldator kantieri dhe së shoqes Ella Ramah Willis, e cila kishte emigruar nga jugu drejt Ohios. Kur ishte dy vjeç, shtëpisë së saj iu vu flaka nga qiradhënësi ndërsa ajo dhe familjarët ishin brenda. “Njerëzit i vunë flakën shtëpisë sonë për të na dëbuar”, rrëfente kohë më vonë në një intervistë, por i ati refuzoi të frikësohej nga armiqësia e të bardhëve dhe i tha se veprime të tilla vetëm sa tregonin inferioritetin e të bardhëve.

Ishin prindërit që i inkurajuan interesin e hershëm për letërsinë, që përfshinte Austen, Flaubert dhe Tolstoy. Por edhe interesi për narrativën dhe traditën afrikano-amerikane iu ushqye nga i ati, i cili i rrëfente histori dhe anekdota që kishte dëgjuar, ndërsa rritej në jug. Ajo u diplomua shkëlqyer nga shkolla e mesme në Lorain dhe studioi Humanitete në universitetin Howard në Uashington, më prestigjiozi nga universitetet historikisht të zinj të themeluar në shekullin 19.

Në Howard ndërroi emrin nga Chloe në Toni (pasi mori emrin Anthony kur u konvertua në katolicizëm në moshën 12 vjeçare), për shkak se njerëzit e shqiptonin keq emrin e saj.  Megjithatë më vonë u pendua për ndryshimin e emrit, ndërsa thoshte më 1992-shin:  “Jam në të vërtetë Chloe Anthony Wofford. Kjo jam unë. Kam shkruar nën emrin e dikujt tjetër. Shkruaj disa gjëra tani si Chloe Wofford, gjëra private. Pendohem  që e kam quajtur veten Toni Morrison kur botova romanin tim të parë, “Më i kaltri sy”.

Më 1954-n Morrison studioi Master të Arteve në gjuhë angleze në universitetin Cornell, ku shkroi një disertacion mbi vetëvrasjen në veprat e William Faulkner dhe Virginia Woolf. Më pas dha mësim në Universitetin Jugor të Teksasit,  në Houston dhe më pas në Howard.

Morrison me dy djemtë e saj.

Më 1958-n  u martua me arkitektin Harold Morrison. Ata u divorcuan më 1964-n dhe Toni u shpërngul në Nju Jork me dy djemtë, Harold and Slade, për t’u bërë redaktore senior në “Random House”, post që e mbajti për 20 vjet. Një nga arritjet atje ishte, sipas saj, të ndihmonte në zhvillimin e “një kanuni për veprën e zezë. Patëm valën e parë të argëtimit të zi, ku të zinjtë shkruanin për të bardhët dhe të bardhët e inkurajonin këtë lloj vetëfshikullimi. Tani mund të shkojmë tek zeja e të shkruarit, ku të zinjtë u flasin të zinjve.”

Më 1989, pas suksesit të “Shumë i dashur”, Morrison u caktua profesore e humaniteteve në Universitetin Princeton. Ajo ishte lektore e ftuar në universitetin e Yale dhe kolegjin Bard. Mësimdhënia  dhe qëndrimi me të rinjtë i dukej si një mënyrë e rëndësishme për të qenë “në kohë”. Seria e saj e leksioneve në Harvard në vitet 1990,  u botua si “Të luash në Terr: Bardhësia dhe imagjinata letrare (1992) dhe eksploron  konstruksionin e “një pranie dhe tipi jo të bardhë afrikanist” në veprat e Poe, Hawthorne, Melville, Cather dhe Hemingway, duke argumentuar se “të gjithë ne jemi të privuar kur kriticizmi mbetet tejet i sjellshëm apo me frikë, për të vënë re një terr përçarës para syve të tij”.

Morrison me Medaljen Presidenciale të Lirisë,  nga presidenti Obama, 2012

25 vjet më vonë, pak muaj pas zgjedhjes së Donald Trump si presidenti i ShBA-së, Morrison botoi “Origjina e të tjerëve” (2017), ese mbi “letërsinë e përkatësisë” bazuar në leksionet e saj të dhëna në Harvard,  më 2016-n. Ajo shqyrtonte mënyrat në të cilat kategoritë dhe tjetërsia janë shpikur dhe përforcuar në letërsi, media dhe ligjëratën e përditshme për të dehumanizuar të tjerët. Ajo analizonte letërsinë nga shkrimtarët Flannery O’Connor, Harriet Beecher Stowe dhe të tjerë, përfshi të sajën, për të ilustruar konstruksionet e së bardhës.

Drama e saj “Të ëndërrosh Emmett-in”, u vu në skenë më 1986. Një version kinematografik i “Shumë i dashur”, me regji të Jonathan Demme dhe skenar nga tre shkrimtarë të tjerë, ku interpreton Oprah Winfrey, u shfaq më 1998 dhe pati kritikë të përzier. Një opera nga Margaret Garner, bazuar në të njëjtën histori me një libret nga Morrison dhe muzikë nga kompozitori amerikan Richard Danielpour u shfaq në Cincinnati, Ohio, më 2005, me kritikë më pozitive. Morrison shkroi gjithashtu lirikën për këngën e André Previn-it  “ Honey and Me” (1992), për katër këngët e tij për Soprano, Cello dhe Piano (1995), dhe për Danielpour “Spirits in the Well” (1998).

Më 2011-n  punoi me regjisorin e operas,  Peter Sellars dhe këngëtaren nga Mali , Rokia Traore,  për të krijuar “Desdemona”, një përzierje fjalësh, këngësh dhe muzike, që e pati premierën në Vjenë. Një vit më pas, u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë,  nga presidenti Obama.

Esetë dhe fjalimet e mbledhura të Morrison, të shkruara mes 1976 dhe 2013,  u botuan si “Gojë e Përgjakur” në shkurt të këtij viti. Ato eksplorojnë historinë e skllavërimit dhe pasojave, fuqinë e gjuhës dhe përgjegjësitë e shkrimtarëve, problemi i të qenit një shkrimtar vetëdijshëm racor, i cili është i kufizuar brenda asaj kategorie. Një citim nga fjalimi i Nobelit të saj siguron një epitaf me vend: “Ne vdesim”, thoshte ajo. “Ky mund të jetë kuptimi i jetës. Por ne bëjmë gjuhë. Kjo mund të jetë masa e jetëve tona.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë