Sport

Tokio 2020, rritet optimizmi për zhvillimin në verë

Rritet optimizmi për zhvillimin normal të lojërave të ardhshme olimpike. Këtë herë është vetë presidenti i komitetit olimpik ndërkombëtar Thomas Bach që shpreh bindjen në organizimin brenda kalendarit të përcaktuar dhe mbarëvajtjen e olimpiadës së 32 të lojërave verore, aktivitet madhor që do të zhvillohet në mesin e vitit të ardhshëm në Tokio. 66-vjecari gjerman është shumë optimist për pjesëmarrjen e tifozëve në “vendin e lindjes së diellit”, madje Thomas Bach ka besim të plotë se në tokën nipone do të kenë mundësi për t’i ndjekur këto lojëra edhe të huajt, që do të kenë dëshirë për të parë nga afër garat në disiplinat e ndryshme. Numri 1 i komitetit olimpik ndërkombëtar shpjegoi se do të ketë një kontroll të përpiktë dhe të hollësishëm gjatë gjithë kohës së qëndrimit për çdo njeri që do të udhëtojë drejt Japonisë për të ndjekur olimpiadën e Tokios, por në asnjë lloj rrethane nuk bëhet fjalë për masa izolimi, apo regjim të detyruar karantinimi.

Thomas Bach

Në krahun tjetër drejtori i përgjithshëm i komitetit organizator të lojërave olimpike të Tokios, Toshiro Muto qartësoi se tifozët e huaj që janë të interesuar për ndjekjen e garave të olimpiadës së 32 nuk do të jenë të shtrënguar për t’iu nënshtruar rregullave të rrepta të izolimit. Më herët drejtuesi më i lartë i komitetit olimpik ndërkombëtar Thomas Bach pati deklaruar se anulimi i këtyre lojërave nuk është marrë në konsideratë dhe bëhet fjalë për një opsion që as nuk mendohet fare. Një deklaratë e tillë natyrisht që influencon ndjeshëm për të shtuar optimizmin për një prani të konsiderueshme të publikut në olimpiadën e Tokios. Më herët u zhvillua një lloj testimi në sportin e gjimnastikës artistike, me praninë e 2.000 spektatorëve, ku u vendosën masa shumë të rrepta, si mbajtja e detyrueshme e maskës, përdorimi i dezinfektuesve të ndryshëm, matja e temperaturës për të gjithë, ndërkohë në ambientet e brendshme u ndaluan të bërtiturat.

Në mars u morr vendimi që Olimpiada të shtyhej me një vit, duke parë situatën e emergjencës me Koronavirusin. Në raport me vendet e tjera lindore, Japonia ka pasur një numër më të ulët të përhapjes së virusit, por rastet janë shtuar javët e fundit, pas uljes së temperaturave dhe lehtësimit të masave nga qeveria për të nxitur turizmin. Qeveria japoneze ka në plan të heqë karantinën e detyrueshme për turistët që do të vizitojnë vendin gjatë Olimpiadës, por vetëm nëse ata vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta. E njëjta gjë vlen edhe për sportistët që do të marrin pjesë në këtë kompeticion, bashkë me stafin. Gjithsesi, vendimi zyrtar do të merret pranverën e ardhshme, sipas shtypit japonez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë