Ekonomi

Tokës po i shterojnë burimet, parashikimi i zymtë: Dekadën tjetër ekonomia globale nis rënien e lirë

Brenda dekadës tjetër mirëqënia e njerëzimit do të ndalojë dhe më pas do të hyjë në një kurbë rënëse, shpejtësia e të cilës do ta varet nga shumë faktorë të tjerë të jashtëm. Në këtë përfundim ka mbërritur një studim i fundit mbi burimet natyrore të tokës.

Studimi me autore Gaya Herrington, një shkencëtare analitike e sistemeve dhe burimeve natyrore për kompaninë KPMG është publikuar në “Yale Journal of Industrial Ecology”. Sipas Herrington, nëse popullsia globale vijon të rritet me ritmet aktuale, burime natyrore do të shterojnë dhe ajo paralajmëron se kjo do të ndodhë shumë më shpejt nga sa kanë parashikuar studime të tjera të ngjashme.

Herrington thotë se për t’u përshtatur me kushtet e reja dhe reduktimin e burimeve natyrore, popullsia globale do të fillojë të tkurret brenda vitit 2040, ndërsa ekonomia botërore në tërësi do të pësojë rënie gjithashtu.

Analiza është bazuar te një studim i gjerë i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit me titullin “Limitet e rritjes”, kryer në vitin 1972. Ky studim ishte i pari që u mundua të parashikojë se cila është popullsia globale që është në gjendje të ushqejë toka me burimet e saj natyrore.

Në fakt, sipas parashikimit të MIT, kjo balancë është tejkaluar prej vitesh tashmë, ndërsa një studim tjetër i 2016-s doli në përfundimin se njerëzimi po konsumon thuajse dy herë më shumë nga sa është në gjendje toka që të prodhojë.

Duke u bazuar tek këto studime dhe analizimin e burimeve globale, konsumit, popullsisë, lindshmërisë, ndotjes, prodhimin e ushqimeve dhe prodhimin industrial, Herrington ndërton 12 skenare për të ardhmen.

E përbashkëta e skenarëve është se në kohë të ndryshme që të gjithë parashikojnë pikun kur burimet natyrore që ofron toka nuk mjaftojnë për të siguruar rritjen e mëtejshme ekonomike, ndaj kjo e fundit fillon të bjerë.

Skenari më i mundshëm është ai që njerëzimit të ndryshojë pak, ose aspak sjellje karshi burimeve natyrore, shfrytëzimit të tyre dhe ndotjes globale. Sipas këtij skenari, rreth vitit 2040 ekonomia botërore do të fillojë rënien e lirë dhe për pasojë do të këtë rënie të popullsisë.

“Kjo nuk do të thotë se shoqëria njerëzore do të përfundojë në kolaps dhe kaos total, por sërish do të krijojë një kthesë të forta që mund të shkaktojë trazira të një niveli global”, thuhet në studim.

Por, jo të gjithë dhe jo gjithçka shihet ka pesimiste sa ky studim i Herrington. Matematicieni, biologu dhe publicisti Joel Cohen doli me tre teori të publikuara në revistën shkencore të Akademisë së Shkencave Australiane se si mund të shpëtohet e ardhmja e njerëzimit.

Ai propozon më shumë fonde për zhvillimin e teknologjisë, edukimin dhe ndërgjegjësimin për kontrollin demografik dhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërive të pasura që të fillojnë të reduktojnë konsumet e tepërta, të panevojshme e luksoze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë