Në mes të 2016 vija e kuqe u kalua: njerëzimi nisi të konsumojë më shumë nga sa është në gjendje shtëpia jonë e përbashkët të ofrojë. Kjo do të thotë se që prej asaj periudhe kemi hyrë në një fazë të re, atë të konsumit të burimeve që u takojnë brezave të ardhshëm.
“Global Footprint Network”, një rrjet i gjerë specialistësh dhe studiuesish, që merret me studimin e burimeve natyrore që shfrytëzohen nga njeriu doli me një raport alarmues, sipas të cilit shoqëria ka nisur të konsumojë ‘atë që nuk i takon’. Sigurisht, thotë rrjeti, nuk është se do të vdesim urie, as që do të heqim dorë lehtë nga gjërat e luksit dhe jeta do të rrjedhë normalisht për ne, por me një kosto të madhe për të ardhmen nëse nuk merren masat e nevojshme.
Por cilat janë masat që duhet të merren? Matematicieni, biologu dhe publicisti Joel Cohen del me tre teori të publikuara në revistën shkencore të Akademisë së Shkencave Australiane.
Më shumë fonde për zhvillimin e teknologjisë
Kjo teori e Cohen sheh inovacionin dhe teknologjinë si rruga e shpëtimit të Tokës dhe njerëzimit. Shihet si mundësia më e mirë jo vetëm që të rrisë kapacitetin prodhues të planetit tonë, por edhe të rrisë cilësinë e jetës për çdo individ.
Avancimet në prodhimin e ushqimeve duke përdorur teknologjinë, si në agrikulturë, pastrimin e ujit dhe në inxhinierinë gjenetike mund të ndihmojë në luftën kundër urisë. Kjo, sipas matematicienit duhet të shoqërohet me heqjen dorë nga lëndët djegëse ndotëse, si nafta dhe përqendrimi tek energjia e rinovueshme, si ajo e erës dhe diellit për të reduktuar sadopak ndryshimet klimatike.
Teknologjia dhe informacioni duhet të jetë prioriteti kryesor i njerëzimit, propozon Cohen, por këshillon që të mos pritet shumë nga kjo fushë nëse nuk shoqërohet edhe me forma ndryshimi sjelljeje dhe veprimi tonin ndaj natyrës.
Edukimi dhe kontrolli demografik
Në këtë pjesë Joel Cohen propozon gjetjen e mënyrave përmes një sistemi arsimor të mirëndërtuar për planifikim familjar, që do të vinte nën kontroll rritjen e popullsisë dhe në zonat e mbipopulluara në nivele alarmante ta ndalonte fare këtë rritje.
Sipas statistikave lindjet reduktohen ndjeshëm kur shoqëria ka edukimin dhe aksesin për shëndetin riprodhues dhe seksual. Për këtë, Cohen propozon inkurajimin e ngritjes së sistemeve të tilla në vendet ku mbipopullimi është në nivele të lartë.
Matematicieni sjell si shembull nga historia ndryshimet që ndodhin në shoqërinë e një vendi në zhvillim. Në të gjitha rastet, rritja e mirëqënies dhe e ekonomisë pasohet me rënie të numrit të lindjes. Pra, ky mësim nga historia duhet të shërbejë si indikator për vendet e zhvilluara që të ndihmojnë ato që janë më pak të zhvilluara.
Në këtë pjesë mund të përdoret edhe ligji, megjithëse mbetet një temë e komplikuar. Kina e zbatoi për dekada me radhë politikën e saj “të një fëmije për çift”, duke ndaluar lindjet e tjera. Ka forma të ndryshme nxitëse për të mos lindur më, si duke u siguruar familjeve me një fëmijë shëndetësinë dhe edukimin falas, apo duke e shpërblyer financiarisht. Që të dyja këto forma kanë një ngarkesë morale, ekonomike, sociale e politike të vështirë për t’u përgjigjur.
Më pak është më shumë
Ndërgjësimi i njerëzve për veprimet dhe pasojat e veprimeve të tyre për të patur një ndryshim në sjellje në mënyrën e jetesës.
Kjo vlen për qeveritë dhe për individët. Njerëzit, sidomos ata të vendeve të zhvilluara duhet të nisin të kontrollojnë “oreksin” e tyre. Shumë studime tregojnë se të mirat materiale jo domosdoshmërisht lidhen me lumturinë njerëzore. Duhet të ndërhyjmë dhe të kuptojmë se çfarë është vërtet me rëndësi dhe çfarë është luks i tepruar për t’i vënë fre konsumit që më pas shkon dëm.
Qeveritë gjithashtu duhet të ndërhyjnë duke mbrojtur mjedisin dhe shtuar zonat natyrore për të reduktuar dioksidin e karbonit dhe gazrat e tjerë të dëmshëm në atmosferë. Fokusi duhet të jetë tek energjia e rinovueshme.
7.6 miliardë njerëz janë kompleksë dhe s’mund t’i bësh në një mendje, por janë shumë herë më kompleksi problemet që ne krijojmë dhe në të vërtetë nuk ka një zgjidhje të vetme, e aq më tepër të thjeshtë, por këto tre mundësi mund të jenë pjesë e politikave ekonomike e sociale të së ardhmes, nëse duam ta kemi një të tillë.
Burimi: Akademia Australiane e Shkencave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.