Ngjarje

‘Tokë e xanun’, tregtarët protestojnë në Laç: S’na kanë ofruar asnjë zgjidhje

Nga Gazeta ‘SI’ – Nisma e kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar zemërim edhe në qytetin e Laçit, ku shumë tregtarë dolën në protestë para bashkisë.

Atyre iu është kërkuar largimi nga hapësirat ku ushtronin aktivitetin në kuadër të fushatës së “spastrimit” të hapësirave publike.

Qytetarët kërkojnë një zgjidhje nga autoritetet të cilët i kanë lënë pa asnjë opsion për të vazhduar biznesin e tyre.

Për mediat, ata shprehen të revoltuar dhe të prekur, duke e quajtur të padrejtë vendimin.

“Kemi dalë më protestë sepse dje policia bashkiake na tha që duhet të largohemi sepse kemi zënë hapësirat publike. Kam shtatë vite që punoj aty, shes thuajse në trotuar afër urës dhe paguaj 180 mijë lekë qira. Jam pa përkrahje sociale, pa asnjë lloj ndihme ekonomike. Ne mbahemi me shitjet që bëjmë”, shtoi një shitës.

“Kam 16 anëtarë në familje, gruan e kam sëmurë. Bashkia nuk na ka ofruar asnjë zgjidhje. Ku do të shkojmë ne, asnjë lloj të ardhure nuk kemi”, tha një shitës ambulant.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin, sqaroi se këta tregtarë nuk janë të formalizuar dhe kanë zaptuar hapësira publike, zone ku pritet të nisë investimi për rehabilitimin e përroit të qytetit. Si zgjidhje bashkia ka në plan ndërtimin e një tregu të ri, por pa dhënë një afat kur mund të nisë investimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë