Nga Megi Iskurti - Tabelat për njoftimet e shitjes apo dhënies me qira të tokës sa vijnë dhe përsërisin njëra-tjetrën, afishuar në toka të ndryshme bujqësore, anembanë Shqipërisë.
Ngastrat po lihen djerrë. Fermerët, të nxitur nga amullia e politikës fiskale dhe kostot e larta, thonë se po refuzojnë të mbjellin dhe të investojnë në bujqësi që ngahera është konsideruar si një “shtëpi pa çati”. Paralelizëm që sipas tyre i shkon përshtat këtij sektori të pasigurtë, gjithnjë të ndikuar nga kushtet atmosferike.
Vitet e shkuara të vetmet probleme që gjallonin në këtë periudhë ishin luhatjet sezonale të sektorit. Sot, problemi qëndron tek braktisja e serave dhe joshja nga emigracioni.
Sipërfaqet e mbjella në serat e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25% sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve. Luhatja e prodhimit bujqësor në zonën e Myzeqesë është sinjalizuesi më i qartë i inflacionit dhe çrregullimit të ekonomisë vendase sipas ekspertëve.
Rezultati se ku do të na dërgojë ky fenomen është vetëm një, thotë për Gazetasi.al Eduart Sharka kreu i Shoqatës së Fermerëve i cili mban bilancet e 200 prej tyre, por arsyet që qëndrojnë pas tij janë të shumta.
Pas katër vitesh, Shqipëria nuk do të ketë më produkte bujqësore
“Në një hark kohor prej 4 vitesh ne nuk do të kemi më produkte bujqësore. Fermerët sot janë kthyer në skllevër modernë të cilëve shoqëria mundin po ua merr dhe po ua konsumon ndërsa ata nuk po marrin mbrapsht shpërblimin për punën e kryer.
Janë me dhjetëra raste fermerësh që largohen për të punuar në serat e Siçilisë dhe Kretës. Fermerët kanë jetuar edhe më parë në këto shtete.
Remitancat e fituara ndër vite i investuan në vendin e tyre për ngritjen e serave. Por duke qenë se sektori i bujqësisë është tepër kaotik, pa rregulla, pa bursë, pa inpute të kontrolluara, fermat e tyre arritën të lulëzonin vetëm për 2-3 vjet. Kështu ata detyrohen të lënë pas bujqësinë, një nga sektorët më të rëndësishëm të Shqipërisë", thotë ai për Gazetasi.al.
Zëra nga fermerët
Halit Bana, është një ndër fermerët e tjerë që ka vendosur të punojë në serat jashtë Shqipërisë.
Atje paguhet 40 euro dita, fitim që i shkon i gjithi në xhep pa bërë asnjë shpenzim në plehra kimike dhe pa u stresuar për kushtet atmosferike.
Njëjtë si ai, Haliti rrefën për Gazetasi.al se edhe i vëllai i tij po mendon të nxjerrë tokën në shitje, për të punuar diku jashtë.
“Është shumë herë më e leverdisshme. Bujqësia në Shqipëri ka marrë tatëpjetën”, citon ai.
Subvencionet në Shqipëri, më të ulta se mesatarja e rajonit
Sharka shton më tej se ndryshe nga vendet perëndimore por edhe ata të rajonit që u kanë paraprirë pasigurive të këtij biznesi, në Shqipëri subvencionet janë të pamjaftueshme duke mos i stimuluar fermerët dhe politikat fiskale janë jo favorizuese.
Masat në Shqipëri që dëmtuan më tej bujqësinë
Goditja e parë për bujqësinë sipas Sharkës është heqja e skemës së TVSH-së të rimbursueshme. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e Europës, fermeri në Shqipëri nuk pret faturë, autofaturën e TVSh-së e pret grumbulluesi.
“Ligji i skemës së TVSH-së detyronte që grumbulluesi të paguante fermerin mbi çmimin e shitjes edhe 6%-shin e TVSh-së dhe kjo quhej TVSH e zbritshme. Për produktet që shiteshin brenda vendit, TVSH-ja i ngarkohej konsumatorit, gje që është shumë e padrejtë ndërsa për produktet e eksportit, rimbursohej.
Duke qenë se grumbulluesit kryesorë i blinin mallrat e eksportit nga fermerët, 6% që iu ishte paguar fermerëve mbi çmimin e tregut, rimbursohej nga shteti si tepricë kreditore e TVSH-së. Për vitet 2014-2018, TVSh-ja e kompensueshme ishte 20% dhe për periudhën 2019-2021 u ul në 6%.
Këto fonde i kushtuan buxhetit të shtetit, por skema, pavarësisht se konsiderohej e padrejtë, që një tregtar të paguajë një tjetër për llogari të shtetit pa mbajtur komision, ndihmoi indirekt fermerin”, tha Sharka.
Më tej ai shtoi se një nga arsyet që sot kemi çmime të larta të produkteve bujqësore rurale është edhe fakti që tregtarët shqiptarë paguajnë 20% tatim mbi xhiron, jo TVSH.
Shteti ynë me papërgjëgjshmëri i merr njëherë fermerit TVSH inputesh. Kur fermeri blen inputet te tregtarët e inputeve paguan 20% TVSH, pastaj agropërpunuesit që blen te fermeri nuk i njihet kjo TVSH. Kështu shteti ia merr 20%-shin prapë edhe kosit që blejmë në market, dhe qumështit edhe domates.
Pa llogaritur që ia ka marrë njëherë 10%-shin te plehrat kimike”, shton ndër te tjera Sharka për Gazetasi.al.
Për krahasim, ai thotë se Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re jep 150 euro për një kre lopë, 6 cent për një litër qumësht dhe 150 euro për një HA foragjer. Ndërsa në Shqipëri, jepen vetëm 10 mijë lekë për një fermer.
Mandej ai sjell rastin e një fermeri i cili kishte kafshë për mish, të cilit 10 mijë lekëshi i jepej vetëm për lopët e matrikulluara dhe rrjedhimisht nuk mund ta përfitonte.
“Ai kishte 40HA toka me qira. Për të përfituar nga skema e naftës pa taksë, aplikonin ata që i kishin dhënë tokën këtij. Nuk i jepnin dokumenta, ky nuk aplikonte dot sepse e kishte tokën me qira verbale.
Dhe kështu ndërsa ky punonte, skemën e naftës e përfitonin ata”, thotë Sharka për Gazetasi.al duke e konsideruar këtë një paradoks të madh.
Resuli: Ky është viti që i jep fund bujqësisë
Ervin Resuli, ekspert bujqësie ka ngritur disa herë problematikën që kostot e larta të inputeve janë shqetësimi më i madh aktualisht i cili po detyron fermerët të largohen.
Çmimi i një kuintali ure është rritur me 50% në sezonin e fundit të mbjelljeve, ndërsa në të njëjtën masë janë rritur çmimet e farave, fidanëve, plastmasës , hekurit, plehrave dhe pesticideve.
Rritje të cilat ndodhën në një kohë kur prodhuesit kishin pësuar humbje gjatë sezonit të dytë të mbjelljeve, si rrjedhojë e prodhimit jo cilësor nga fara e keqe.
“Ky është viti që i jep fund bujqësisë. Ne prisnim një buxhet me lehtësime për fermerët. Kishim një marrëveshje me ministrinë e Financave dhe të Bujqësisë por kjo nuk është respektuar. Që me nisjen e protestave kërkuam rishikim të buxhetit të bujqësisë dhe rishikim të skenës së rimbursimit. Fermerët do të largohen akoma më shumë nga Shqipëria”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.