Njerez

Tkurret edhe më tej popullsia në 6 qarqe. Lindjet dhe vdekjet në rënie

Për tremujorin e tretë të 2021-shit, numri i lindjeve ka kaluar numrin e vdekjeve, por të dyja kanë pësuar rënie nga e njëjta periudha e 2020-s.

Sipas të dhënave të Instat numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2021 është 7.404, duke shënuar një rënie me 7.5 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020.

Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2021 rezulton 6.037, duke shënuar një rënie prej 8.9 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2020. Shtesa natyrore e popullsisë (diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve) në tremujorin e tretë 2021, është pozitive me 1.367.

Shtesa më e lartë natyrore rezulton në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.085 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Vlorës, ku vdekjet tejkalojnë me 152 numrin e lindjeve.

Për periudhën e raportuar, shtesa natyrore është pozitive në 6 qarqe të vendit dhe negative në 6 të tjera.

Lindshmëria më e ulët për tre muajt e fundit të 2021-shit është regjistruar në Gjirokastër me 114 lindje dhe më e larta në Tiranë me 2.521 lindje.

Në tremujorin e tretë 2021 numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 108 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 1.436 vdekje.

Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Dibrës me –30.6 %. Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të tretë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Vlorës me 15.5 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë