Muzike

TKOB për herë të parë në një nga festivalet më të rëndësishëm europianë

Nga Gazeta “SI”- Më 13 tetor 2025, në skenën prestigjioze të Teatro Auditorium Manzoni në Bologna, Orkestra Simfonike e TKOB do të debutojë në RESPIGHI , një nga festivalet më të rëndësishëm evropianë. Nën drejtimin e Maestro Sergio Alapont dhe me pjesëmarrjen e një prej violinistëve më brilantë të panoramës muzikore botërore, Giuseppe Gibboni, kjo ngjarje shënon një hap të madh artistik dhe një sfidë të veçantë për orkestrën shqiptare.

Sezoni i Teatrit të Operës dhe Baletit ka nisur me një program të pasur artistik, por edhe me lajmin se Orkestra e TKOB-it, për herë të parë, do të marrë pjesë në Festivalin RESPIGHI , një nga më prestigjiozët në botë, ku një natë do t’i dedikohet tërësisht orkestrës së Teatrit të Operës së Shqipërisë.

Teatro Auditorium Manzoni, Bolonja

Drejtori i TKOB, Aulon Naçi, zbulon  për GazetaSi.al detajet e këtij përfaqësimi  që nga pjesët që do të interpretohen e deri tek mënyra se si u arrit pjesëmarrja në këtë festival prestigjioz. Programi do të jetë tërësisht i ri dhe i pa vënë më parë në skenë, ku fillimisht do të shfaqet në Tiranë si një “provë gjeneralë” e festivalit në Bolonja.  

“Programi i mbrëmjes sjell një repertor virtuoz, shumë impenjativ dhe të rafinuar, i cili do të interpretohet për herë të parë nga Orkestra Simfonike e TKOB me pjesë si: Rimskij-Korsakov – Ouverture, op. 28; Paganini – Koncerti për violinë nr. 2 në si minor, op. 7 (solist Giuseppe Gibboni); Rachmaninov/Respighi – Cinq Études-tableaux, P 160; dhe Stravinskij – Suite nga L’Uccello di fuoco (The Firebird). Ky debutim do të prezantohet fillimisht për publikun shqiptar më 9 tetor 2025, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë” – thotë Aulon Naçi

Ai gjithashtu zbulon se pjesë e Orkestrës Simfonike të TKOB në Tiranë e po ashtu në Bolonja do të jetë edhe violinisti me famë botërore Giuseppe Gibboni.

Orkestra e TKOB

“Giuseppe Gibboni do të ngjitet në skenë për një koncert të jashtëzakonshëm, menjëherë pas dy shfaqjeve të tij me Orkestrën Filarmonike të Teatrit “La Scala” të Milanos. Më pas orkestra do të udhëtojë drejt Bolognës për të shfaqur këtë program në datën 13 tetor, në Teatro Auditorium Manzoni,” – thotë Naçi.

Ai thekson se Orkestrës së TKOB-it do t’i bashkohen edhe instrumentistë të rinj të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, gjë që krijon sinergji të reja në bashkëpunimet e brendshme për një përfaqësim sa më dinjitoz.

“Një element i rëndësishëm i këtyre aktiviteteve është edhe pjesëmarrja e instrumentistëve të rinj të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, duke forcuar kështu bashkëpunimet artistike dhe duke krijuar një sinergji të re në skenën shqiptare e ndërkombëtare. Drejtori i OSFA-së, Arben Skënderi, mirëpriti këtë bashkëpunim me Orkestrën e Operës për një rritje të përbashkët cilësore dhe me vizion”

Naçi thekson se pjesëmarrja e trupës së TKOB në Bologna është një ngjarje e jashtëzakonshme, thuajse historike për një institucion si Teatri i Operas

“Festivali Respighi është një festival prestigjioz ku kanë luajtur orkestra dhe dirigjentë me famë botërore, përfshirë edhe London Symphony. Po ashtu, repertori është shumë impenjativ dhe nuk është vendosur më parë në skenë nga orkestrat tona.”

Giuseppe Gibboni

Naçi rrëfen se ftesa për të marrë pjesë në këtë festival erdhi nga drejtori artistik i Festivalit “Respighi”.

“Ftesa erdhi nga drejtori artistik i Festivalit Respighi dhe, për orkestrën tonë, ky është një hap i madh dhe një sfidë e vërtetë. Të luash me një nga instrumentistët e kalibrit të Giuseppe Gibbonit  i cili vetëm disa ditë më parë kishte një koncert në Seul dhe, para koncertit të Bolognës, ka dy koncerte me Filarmoninë e La Scala , është një arritje e jashtëzakonshme,” – përfundon Naçi.

Muzikantë me famë botërore si Giuseppe Gibboni dhe Giovanni Bertolazzi, soprano të njohura ndërkombëtarisht si Marigona Qerkezi dhe Ermonela Jaho, si edhe dirigjentë të shquar si Sergio Alapont dhe Fabrizio Maria Carminati, dëshmojnë se TKOB po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e agjendave koncertore të muzikantëve më të vlerësuar në botë..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë